Përballje

West Ham shkatërron Leicester-in, çekanët mbyllin javën në krye të Premier League


Në një ndeshje që pritej të ishtë ndër më të barazpeshuarat të javës së dytë në Premier League, West Ham-i i David Moyes dominoi tërësisht.

Ndikim kishte edhe kartoni i kuq i Ayoze Perez, me të cilin u ndëshkua pas një ndërhyrjeje të ashpër në dëm të Pablo Fornals.

Pikërisht para kartonit të kuq, Pablo Fornals ishte ai që edhe shënoi për epërsinë e çekanëve.

Ai shfrytëzoi shumë mirë pasimin e Benrahma-s për të shënuar për 1-0.

Në të 40-ën, Perez u ndëshkua me të kuq, por pjesa e parë u mbyll me atë rezultat.

Njeriu që asistoi golin e parë, Benhrahma, tani shënoi për të dyfishuar shifrat, pas një asistimi të Antonio-s.

Edhe pse me një lojtar më pak, Leicester nuk dorëzohej.

Në minutën e 70-të, Youri Tielemans shënoi për 2-1, për t’i dhënë tifozëve të dhelprave një fije shpresë.

Mirëpo, për të shuar këtë shpresë, u përkujdes Michail Antonio, njeriu që u përkujdes edhe për të asistuar golin e dytë.

Brenda katër minutave, në të 80-ën dhe të 84-ën, ai shënoi dy herë.

West Ham tani udhëheqin tabelën pas dy ndeshjeve, me gjashtë pikë dhe një numër impresionues prej 8 golave të shënuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore