Lajme

Walker: Nëse bota s’do dëgjonte për Reçakun, Kosova s’do të ishte e pavarur


William Walker

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, njeriu që alarmoi botën perëndimore për mizoritë serbe që po ndodhnin në Kosovë, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosova Press foli për atentatin e 13 janarit të vitit 1999 kur një polic serbe tentoi ta vriste në Prishtinë.

Ai tha se nëse nuk do t’i shpëtonte atentatit të orkestruar nga Slobodan Millosheviçi dhe nëse bota nuk do të kishte dëgjuar për masakrën e Reçakut, ngjarjet do të kishin marrë kahje krejt tjetër sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars filluan bombardimet përmes forcave veri-atlantike të NATO-s.

“Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, nëse do të më kishin vrarë mua, nëse askush nuk do të kishte dëgjuar për Reçakun, nuk jam i sigurt nëse Kosova do të ishte një vend i pavarur, i lirë e demokratik në Ballkan sot. Ju do të mund të kishit qenë ende një krahinë e Serbisë, duke jetuar në kushtet se si e trajtonin popullatën shqiptare këtu”, tha Walker.

Fushata e bombardimeve të NATO-s e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova dhe me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK) ndërsa në vazhdimësi autoritetet serbe kanë mohuar masakrën e Reçakut.

“Millosheviçi u përpoq të thoshte që ‘Walker gënjen, Walker nuk e di se për çfarë po flet, Walker punon për CIA-n’, të gjitha këto budallallëqe, Millosheviçi dhe (Aleksandër) Vuçiç, dhe (Nikola) Shainoviç thanë për përshkrimin tim për Reçakun, ata më shpallën persona non grata”, shtoi Walker.

Ndryshe, diplomatit amerikan, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut, të premten iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore