Lajme

VV me video propagandistike: Opozita na izoloi


Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet – ka publikuar videon propagandistike të radhës ku – përsëri – ka sulmuar partitë opozitare kosovare, duke tentuar në një farë mënyre t’i fajësoj edhe bllokun opozitar për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, pas mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i kësaj partie, për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës.

“Flasin për izolim kur për 20 vjet na kanë mbajtur të izoluar duke na vjedhur. Thonë Albini po na izolon në kohën kur liberalizimi i vizave u përmbyll me qeverinë Kurti, e cila luftojnë hajninë dhe korrupsionin e lartë në vend”.

Qytetarët, siç thuhet në këtë video nuk janë të izoluar, por hajnat e dikurshëm – duke iu referuar pjesëtarëve të partive opozitare –  janë izoluar jashtë pushtetit.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare, janë në të njëjtën linjë me Serbinë kur po kërkojnë që në pjesën Veriore kryetarët e sapozgjedhur t’i lirojnë objektet komunale dhe të mbahen zgjedhje të reja – ani pse të njëjtat gjëra po kërkon edhe komuniteti ndërkombëtarë në veçanti Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mirë që kjo opozitë nuk është në qeveri se do e dorëzonin vendin para Serbisë siç dëshmuan së fundi me kërkesën e tyre (të njëjtë me Serbinë) që të largohen kryetarët legjitim nga objektet komunale në pjesën veriore dhe të organizohen zgjedhje të reja”, vazhdon videoja.

Videoja propagandistike ndër të tjera tenton të thotë se Kosova nuk duhet të merret vetëm me masat ndëshkuese të Perëndimit, por edhe me deputetët opozitarë, të cilët, nuk po i kalojnë kreditë dhe grantet ndërkombëtare me vlerë prej 150 milionë euro.

Pra Lëvizja Vetëvendosje duke relativizuar masat ndëshkuese të BE-së, tenton të thotë se qytetarët e vendit nuk duhet të mërziten vetëm për këto sanksione, por edhe për ngujimin aktual të cilën po e bënë opozita kosovare.

“Opozita flet për izolim ndërkohë që sa ishte në pushtet fali tokë, nënshkroi ‘Zajednicë’, shiti e vjedhi pasuri publike duke na mbajtur për 20 vjet të izoluar. Flet për fonde, tash kur i mbanë 150 milionë euro të bllokuara duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend. Flet për çmime të larta ndërkohë që e ka dërguar ligjin për çmimet tavan në Gjykatë Kushtetuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore