Kosova

Vuçeviç: Mali i Zi s’po vepron si një shtet mik


Millosh Vuçeviç

Kryeministri i sapoemëruar i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ndërsa ka komentuar vendimin e Malit të Zi për të votuar pro rezolutës së Organizatës Kombeve të Bashkuara për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, ka potencuar se një qasje e tillë nuk “kontribuon aspak në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi”.

Vuçeviç në një intervistë për televizionin serb, Pink TV, ka vlerësuar se Beogradi do të dëshironte të shihte veprime që afirmojnë se dy vendet janë të afërta.

“Vendimi që Podgorica ta mbështesë rezolutën për Srebrenicën nuk është një gjest miqësor i një shteti mik”.

Rezoluta, siç ka pretenduar Vuçeviç, po përgatit për të stigmatizuar serbët.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka njoftuar më herët se Podgorica zyrtare do të votojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pro rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

“Ne do të votojmë për këtë, por edhe për të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidin. Jemi njëqind për qind dakord me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, ka thënë Spajiç nga foltorja e parlamentit malazez.

Lidhur me këtë qëndrim ka reaguar edhe Ministri i sapoemëruar i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke cilësuar një deklaratë të tillë si të “turpshëm” dhe “skandaloz”.

“Është e pabesueshme që një vend ku serbët përbëjnë më shumë se një e tretën e popullsisë voton për një rezolutë që paraqet serbët si një komb gjenocidal”, ka thënë ai.

Lobimi serb në OKB kundër rezolutës për Gjenocidin e Srebrenicës, si po e ndihmojnë rusët dhe kinezët?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore