Lajme

VV me ceremoni “lamtumirëse” për Mehajn, Kurti: Ka bërë punë të jashtëzakonshme


Albin Kurti dhe Armend Mehaj

Lëvizja Vetëvendosje i ka organizuar ceremoni “lamtumirëse” ish-Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili të martën e 8 gushtit dha dorëheqje nga kjo pozitë të cilën e mbante që nga 22 marsi i vitit 2021.

Në këtë ceremoni, që u bë publike përmes një video të publikuar në Facebook nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte prezent edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka thënë se gjatë këtyre 29 muajve sa ishte ministër Armend Mehaj, “është bërë një punë e jashtëzakonshme madhore për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë”.

“E para është ngritja e kapaciteteve profesionale dhe e dyta ngritja e atyre operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, shkollim dhe armatim”.

Sipas Kurtit, ardhja e ish-ministrit Mehaj në këtë detyrë, si një ish-oficer, “ka orientuar me të drejtë buxhetin në drejtim të ngritjes së kapaciteteve luftarake përmes investimit me armatime për më shumë se trefish sesa qeverisjet e kaluara”.

Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Mbrojtjes të martën e 8 gushtit.

Arsyetimi i Mehajt ishte se një gjë të tillë e ka bërë për shkaqe familjare, por burime të Albanian Post brenda ministrisë së Mbrojtjes bënin me dije se pakënaqësitë që kishte Mehaj me zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë e kanë shtyrë atë që ta marr një vendim të tillë.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj ndër të tjera në Facebook.

Në fakt, sipas burimeve të AP-së, Mehaj e kishte ofruar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj, kjo siç thoshte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, si masë e parë ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të qeverisë për ta de-eskaluar situatën në Veri, pas tensioneve të krijuara atje, që nga 26 maji.

Mirëpo, AP merr vesh se kjo nuk ka qenë e vetmja arsye që e kanë shtyrë Mehajn që ta marrë një vendim të tillë.

Mehaj ka pasur pakënaqësi me disa kontrata që janë nënshkruar nga ky dikaster.

Njëra nga to ka qenë edhe kontrata për blerjen e doneve Bayraktar TB-2, të cilët Kosova i ka blerë nga Turqia, ndërsa blerja e tyre u bë publike nga kryeministri Kurti më 16 korrik.

Armend Mehaj në qeverinë e dytë të Albin Kurti, të votuar me 22 mars të vitit 2021, kishte ardhur si prurje nga jashtë. Ai kishte shërbyer si ushtarak në Forcat e Armatosura të Norvegjisë – aty ku edhe kishte jetuar – ku kishte marrë pjesë në shumë misione ndërkombëtare.

Në këtë pozitë, Mehajn e ka pasuar kolonel Ejup Macedonci, i cili para pak kohësh doli në pensionim të parakohshëm.

Përjashtimi nga “Defender Europe”, kontratat e nënshkruara nga ministria – Arsyet që shtyn Mehajn të jap dorëheqje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore