Lajme

VV e quan “të paligjshme” dhe “të parregullt”, ndarjen e buxhetit për Prishtinën


Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e ka vlerësuar “si të paligjshme” dhe “të parregullt”, mënyrën se si është miratuar buxheti i komunës për vitin 2024.

Përmes një komunikate për media LVV ka thënë se për shkak të paqartësive ligjore në këtë seancë s’kanë marrë pjesë një numër i asamblistëve.

“Siç është i njoftuar opinioni, për shkak të paqartësive ligjore, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal. Gjithashtu edhe kjo seancë, si disa tjera më herët, kontestohen dhe nuk pranohen nga MAPL si organ që me Kushtetutë është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga niveli komunal”.

“Ky buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën”, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje – Prishtinë”.

Nga VV-ja është thënë se seanca dhe vendimet e miratuara në të nuk do t’i kalojnë filtrat ligjorë.

“Kërkojmë nga organet përgjegjëse të të gjitha niveleve, veprime konkrete e emergjente në kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës”.

Buxheti i Prishtinës.

“Vendimet dhe veprimet që merren duke shkelur ligjet e procedurat, pa transparencë e në mënyrë jo demokratike nuk duhet toleruar më”.

Komuna e Prishtinës, ka ndarë mbi 100 milionë euro për vitin 2024, 20 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar.

Ky vendim është miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, teksa lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Përparim Rama përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’. 

“Buxheti i Kryeqytetit i cili sapo u votua në Kuvend, për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Pra, rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar”.

“Buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës sime në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i TRANSFORMIMIT të Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se ka ndarë edhe mbi 40 milionë euro për investime kapitale e ku sërish është i përfshirë edhe spitali i Prishtinës.

“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen: Ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, spitali i Prishtinës, ndërtimi i Tunelit “Agim Ramadani”, ndërtimi i unazës qendër, salla e koncerteve, salla e madhe multifunksionale, revitalizimi i tullëtores”.

“Gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e thertores për kafshë”.

Përparim Rama në garën për zgjedhje lokale njërin ndër projektet kryesore e kishte pasur “ridefinimin e qendrës së qytetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore