Lajme

Vulin: Rajonin nuk e destabilizon Beogradi, por Prishtina


Aleksandër Vulin - Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë

Pas deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, në Samitin në Londër ku tha se Beogradi kishte nisur një fushatë destabilizimi në rajon – ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili e ka quajtur Prishtinën, si “burim destabilizimi në rajon”.

Vulin ka thënë se destabilizimi i rajonit po bëhet si pasojë e publicitetit të “Shqipërisë së Madhe” si dhe arrestimit të serbëve në Kosovë dhe aksionet e njësive policore në veriun e vendit.

Aleksandër Vulin – Ministër i brendshëm i Serbisë.

“Po bëhet destabilizimi sistematik i rajonit duke shpallur krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, arrestimin e serbëve dhe inkursionet e njësive Rosso në veri të Kosovës”.

“Stabiliteti i rajonit është shqetësuar veçanërisht nga refuzimi i Prishtinës për t’iu përmbajtur Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Unionit të Komunave Serbe”, tha Vulin, shkruan “Rs.n1info“.

Mes tjerash, Vulin, ka këruar shpjegime mbi “vonesën” e përmbushjes së marrëveshjes së Brukselit.

“Para se të fillojnë të flasin për serbët apo stabilitetin, përfaqësuesit e Prishtinës duhet së pari të shpjegojnë pse nuk e kanë përmbushur ende marrëveshjen e Brukselit dhe kur planifikojnë ta mbajnë fjalën e nënshkruar dhe të dhënë”, tha ai.

Edhe në këtë deklaratë, Aleksandër Vulin e ka mohuar përsëri masakrën e Reçakut, në të cilën në janar të vitit 1999 u vranë 45 civilë shqiptarë.

Masakra e Reçakut.

Ndryshe, më 10 dhjetor, Aleksandër Vulin, e kishte vizituar ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak në janar të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

Masakrën në fshatin Reçak apo ndryshe siç e ka quajtur ai “masakra e supozuar” e shqiptarëve e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, kishte thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore