Lajme

Vulin do të ekstradojë ish-kryespiunin ukrainas drejt Rusisë


Andriy Naumov, ish-kreu i Departamentit Kryesor të Sigurisë së Brendshme ukrainase (SBU), i cili ndihmoi rusët të kapnin termocentralin bërthamor të Çernobilit, mund të përfitojë azil në Federatën Ruse.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia ruse “The Insider”.

“Sipas burimeve, ish-oficeri i SBU-së ka jetuar në Gjermani për disa muaj pasi është arratisur nga Ukraina, pastaj ka arritur të kalojë kufijtë e Bashkimit Evropian me sende me vlerë të padeklaruara dhe të shkojë në Serbi”, shkruan botimi rus.

Sakaq, ai mund të bëhet pjesëmarrës në pseudogjyqin kundër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Rusi.

Naumov u arrestua në Serbi më 7 qershor 2022.

Së bashku me të në makinë ishte një biznesmen ukrainas, shtetas gjerman Oleksandr Akst, i përfshirë në hetime të shumta gazetareske për kontrabandën në Ukrainë.

Makina me të cilën po udhëtonin u ndalua në një postë kufitare teksa po përpiqej të kalonte kufirin midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Naumov drejtoi Departamentin Kryesor të Sigurisë së Brendshme të SBU-së nga vera e vitit 2019 deri në korrik 2021.

Para kësaj, ai drejtonte ndërmarrjen shtetërore “Qendra për Mbështetjen Organizative, Teknike dhe Informative të Menaxhimit të Zonës së Përjashtimit”, dhe nëpërmjet aktiviteteve të tij mund të njihte dhe mblidhte informacione që përbëjnë sekret shtetëror për sistemet e sigurisë së Çernobilit.

Burime mediatike në shërbimet speciale ukrainase besojnë se Naumov mund t’u kishte dhënë shërbimeve speciale ruse informacione që i lejonin ushtrisë ruse të kapte shpejt territorin e zonës së përjashtimit të termocentralit bërthamor të Çernobilit.

Pas ndalimit në Serbi, Naumov dhe Akst ndodhen në qendrën e paraburgimit në qytetin e Nish-it.

Në veturën BMW me të cilën tentoi të kalonte kufirin, sipas të dhënave zyrtare, kishte 600 mijë euro para cash, një shumë e madhe në dollarë amerikanë, gurë të çmuar, përfshirë edhe diamante.

Sipas ligjit serb, ai përballet me 12 vjet burg për kontrabandë sendesh me vlerë të padeklaruar, por ai mund t’i shpëtojë përgjegjësisë.

Në veçanti, në Serbi, çështjen e ekstradimit të Naumovit në Rusi e trajton ministri i Punëve të Brendshme Aleksandr Vulin.

Mësohet se më 23 gusht, kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë është takuar në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Mykola Patrushev.

Në raportin zyrtar për takimin nuk thuhet asgjë për fatin e Naumov-it, por sipas burimeve mediatike është diskutuar për këtë çështje.

Burimi raportoi se pas dërgimit të Naumovit në Federatën Ruse, kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë Vulin mund të transferohet vetë në Moskë, ai pret të emërohet në postin e ambasadorit të Serbisë në Rusi.

Ish-shefi i inteligjencës ukrainase është arrestuar në pikën kufitare të Preshevës

Serbia konfirmon arrestimin e ish-kryespiunit ukrainas

Kryespiuni ukrainas i arrestuar në Serbi mund të transferojë të dhëna tek shërbimet speciale ruse

Naumov po planifikonte të largohej drejt Maqedonisë së Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore