Lajme

“Vuçiç e Vulin të mbahen përgjegjës nga ShBA-ja”


Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Demostat.rs ka thënë se ka përçarje në qeverinë amerikane për çështjen e Kosovës.

“Po, besoj se ka përçarje në qeverinë amerikane – dhe se ato janë shfaqur gjatë javëve të fundit. Siç u tha, shpresoj që sanksionimi i Vulin-it të jetë dëshmi se ndarjet po mbyllen – në drejtim të bërjes së përgjegjësisë nga Beogradi”, tha ai.

Ai thotë se shpreson që diskutimet dhe vendimet e fundit në Uashington t’i mbyllin “këto ndarje”, derisa ka shtuar se shpreson “që nivelet e larta në Uashington të kuptojnë se baza për bashkëpunimin serbo-amerikan është përgjegjësia – jo e kundërta”.

“Shpresoj që ambasadori Hill një diplomat me shumë përvojë, të kuptojë se përparimi i rëndësishëm në marrëdhëniet serbo-amerikane qëndron në përgjegjësi. Të lejosh Vuçiç-in dhe përfaqësuesit e tij si Vulin të jenë të papërgjegjshëm, nuk është mënyra për të avancuar në politikë në lidhje me Rusinë, Kosovën, demokracinë serbe apo çështje të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet serbo-amerikane”, shtoi ai.

“Unë mendoj se ShBA-ja ka treguar më shumë se dëshiron marrëdhënie miqësore me Serbinë”.

Tani sipas Joseph, është koha që presidenti Vuçiç të mbajë përgjegjësi për detyrimet e qeverisë së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore