Lajme

Vuçiç për shkrimin e New York Times: E porositën kundër meje, është i përfshirë edhe ish-presidenti Tadiç


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pretendon se artikulli i së përditshmes amerikane “The New York Times” për lidhjet e dyshimta të tij me huliganin dhe trafikantin e drogës, Veljko Belivuk, ishte porositur pesë muaj më parë në Serbi dhe se në këtë “është i përfshirë edhe ish-presidenti serb Boris Tadiç”.

“E kuptova momentin kur u publikua, pikërisht në kohën e bisedimeve në Bruksel për të marrë një mesazh të qartë: CIA po ju shikon dhe nëse nuk dëgjoni, ky është vetëm fillimi”, tha Vuçiç në televizionin serb TV Happy.

Por, ai thotë se “përgjigja ime është se e kuptova mesazhin”.

“Nuk u frikësova prej tyre dhe nuk e magjepsin marrëzitë që shkruan. Unë do të luftoj për vendin tim, e ju vazhdoni të gënjeni me bashkëpunëtorët tuaj”, shtoi ai.

“Në Bruksel, mund të kisha qeshur me sarkazëm dhe të thosha, mund të lëndohem, por ju nuk do të merrni diçka të tillë. Nga distanca historike do të kisha diçka për të fajësuar Millosheviç-in, por nuk do të ishte e drejtë”.

“E di që teksti në New York Times ishte porositur, e bënë që këtu. Aty ishte edhe Boris Tadiç, turp t’i vije”.

Belivuk dhe Vuçiç: Raportimi i AP-së, shkrimi i The New York Times dhe propozimi i James Rubin

Presidenti serb ka treguar se në Bruksel në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “papritmas ka pasur ndryshim në planin zbatues” të marrëveshjes së Brukselit.

“Kanë provuar një mashtrim për t’i marrë sërish diçka Serbisë, pa marrë asgjë Serbia”, shtoi ai.

Vuçiç ka potencuar se e ka kuptuar “mashtrimin për Kosovën” dhe se në fund të muajit “pret probleme të mëdha”.

Pos çështjes së Kosovës, ai ka folur edhe për protestën e kësaj të hëne kundër dhunës të organizuar nga opozita në Beograd, duke shtuar se “ndjenjat e njerëzve u keqpërdorën në mënyrën më brutale”.

Ai shtoi se Kuvendi i Partisë së tij Përparimtare Serbe do të mbahet deri në fund të muajit, ku do të ketë “ndryshime të mëdha dhe paralajmërime të mëdha për të ardhmen”.

“Ju kërkoni dorëheqjen e Qeverisë, s’ka problem, do të merrni gjithçka. Gjithçka që merrni do të dëgjoni pas 20 dite”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore