Lajme

Belivuk dhe Vuçiç: Raportimi i AP-së, shkrimi i The New York Times dhe propozimi i James Rubin


Ilustrim/Nova

Një artikull i së përditshmes amerikane “The New York Times” për qeverinë mafioze në krye të Serbisë, bëri bujë të madhe në mesin e politikanëve, diplomatëve dhe vëzhguesve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Autori i artikullit, Robert Worth, solli në qendër të vëmendjes – sërish – lidhjet e dyshimta të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me huliganin dhe trafikantin e drogës, Veljko Belivuk, i cili ka kohë që është subjekt i hetimeve në Serbi.

Aritkulli zbuloi përpjekjet shumë-vjeçare të Vuçiç-it për “kontroll të plotë mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike” në Serbi dhe gjurmoi qartë lidhjet e tij me grupet mafioze, kriminelët e luftës, huliganët serbë të futbollit, të cilët sipas “The New York Times” janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme të Ballkanit Perëndimor dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të rajonit, përfshirë ato në veri të Kosovës.

“Rreziqet më të dukshme sot janë të përqendruara në Kosovë, që gjendet nga ana jugore e Serbisë, që banohet me shqiptarë, por që përmban edhe ‘xhepa’ me shumicë serbe, veçanërisht në veri. […] Skenari që mban zgjuar gjatë natës liderët perëndimorë është pak a shumë kështu: Vuçiç, duke përmendur një rrezik për minoritetin serb, dërgon trupa përtej kufirit dhe anekson veriun e Kosovës. Serbët në pjesë të tjera të rajonit pastaj largohen nga shtëpitë e tyre ose kërkojnë më shumë ndryshime kufijsh”.

Krejt në fund, në këtë artikull/hulumtim thuhet se presidenti serb e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemin e bandave mafioze në Serbi duke krijuar një mjedis në të cilën linja e paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit shkon në avantazhin e tij. Rasti i Belivuk ka hedhur dritë mbi disa çështje të brendshme të shtetit serb – bazuar në hetimet që janë bërë – ai del të ketë lidhje me zyrtarë të lartë në Beograd. E, në krye të kësaj – sigurisht – është kreu i shtetit serb dhe Partia Progresiste Serbe.

James Rubin, i njohur si “dora e djathtë” e Madeleine Albright dhe ish-kryezëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tashmë udhëheqës i Qendrës Globale të Angazhimit që përbën organin kryesor të DASH-it për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit, propozoi “lexim brutal” të artikullit me titull: “Presidenti, Huliganët e Futbollit dhe një ‘Shtëpi e Tmerreve’ e Botës së Krimit”.

Albanian Post qysh në korrik të vitit 2021 pati raportuar për lidhjet personale të Vuçiç-it me bandat mafizoze në Serbi. Arrestimi i kriminelit famëkeq, Veljko Belivuk, kishte bërë bujë të madhe në atë kohë, pasi udhëheqësi i grupit mafioz “Jeniçerët” –  emër i mercenarëve ballkanas në kohën e Perandorisë Osmane – deklaroi para Prokurorisë Speciale të Serbisë se ai ka kryer shumë punë për presidentin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore