Lajme

Vuçiç për Open Balkan – “Iniciativa që të gjithë e injoronin tani po iu intereson të gjithëve”


Aleksandër Vuçiç

“Iniciativa që askush s’e ndiqte e s’i interesonte, që mendonin se është e destinuar të dështojë tani nuk po mund të ndalet dhe ka një interesim tejet të madh”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në konferencën për shtyp të Samitit të Ohrit të Open Balkan.

Presidenti serb  përsëri bëri thirrje që edhe vendet e tjera skeptike të rajonit t’i bashkohen nismës rajonale, ndonëse Kosovës iu referua vetëm si “Prishtina”, duke lënë të kuptohet që Kosova brenda nismës rajonale në optikën serbe ka ndërmend të trajtohet vetëm si entitet, për çka edhe përbën njërën nga arsyet kryesore pse Kosova e refuzon pjesëmarrjen në këtë nismë.

Si rezultat të Open Balkan, Vuçiç tha se Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë më probleme bilaterale, derisa shtoi se “kemi arritur t’i zgjedhim problem 70 vjeçare”.

Në lidhje me atë se pse duhet të përkrahet një inciativë e tillë, Aleksandër Vuçiç tha se “Open Balkan është inicativë e njerëzve nga Ballkani që e kanë kuptuar se duhet të lidhet e t’i zgjidhin vetë problemet e tyree”.

“Çdo gjë që e kemi bërë e kemi bërë për ekonominë, që është e rëndësishme për qytetarët, duke qenë se për qytetarët nuk ka asgjë më të rëndësishme se ekonomia”.

Sipas Vuçiç, shtetet pjesëmarrëse të Open Balkan, nuk kanë asnjë kërkesë ndaj askujt, përpos “miqësisë dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin”.

“Kjo është interesi kryesor i vendeve tona, por edhe të tjerët janë të mirëseardhur, Bosnje-Hercegovina, Prishtina, Mali i Zi e kështu me radhë”.

Mes tjerash, Vuçiç tha se sot nënshkruhet marrëveshja e njohjes së ndërsjellë të diplomave.

Në fund ai falënderoi emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje ndaj nismës së Ballkanit të Hapur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore