Lajme

Vuçiç: “Nuk e lejojmë askënd ta poshtërojë Serbinë”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka hedhur përsëri indinjatë karshi Malit të Zi, duke thënë se edhe pse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore “nuk do ta lejojmë askënd ta poshtërojë Serbinë”.

Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit malazias, Zdravko Krivokapic, i cili u përgjigj mëse formalisht kur e pyet se kur do të vizitojë zyrtarisht Beogradin, se kjo gjë “varet nga autoritetet zyrtare të Serbisë”, edhe Vuçiç mëse formalisht u përgjigj se “ai ka qenë disa herë në Beograd, por atëherë gjërat ishin pak më ndryshe sa i përket takimeve zyrtare”.

“Janë bërë gati se 1 vjet që kur ambasadori i Serbisë në Mal të Zi është përzënë, për shkak të kurorës që ai vendosi në monumentin e heronjve të Betejës së Mojkovacit dhe tha diçka që është absolutisht e padiskutueshme. Ne iu përgjigjëm reciprokisht dhe e tërhoqëm vendimin, duke besuar se edhe Mali i Zi do të bënte të njëjtën gjë”.

“Të mos flasim për dokumente të ndryshme të miratuara nga Parlamenti i Malit të Zi, për shpalljen e popullit tonë gjenocidial, se ata morën vendime për dërgimin e vaksinave në Ushtrinë e Kosovës, të cilat ata e dinë se nuk duhet të ekzistojnë sipas Rezolutës 1244. Ne duam marrëdhëniet më të ngushta me Malin e Zi, nuk po kërkojmë asgjë, por nuk do të lejojmë që dikush ta poshtërojë Serbinë”, përfundoi adresimin e tij indinjues ndaj shtetit të Malit të Zi.

Reagimi i kryeministrit malazias, Zdravko Krivokapic

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Twitter, Krivokapic shkroi se “qeveria që unë udhëheq kurrë s’e ka poshtëruar askënd, e as s’e ka për qëllim të poshtërojë askënd”.

Ai u shpreh se si qeveri e Malit të Zi, nuk kanë asnjë interes të poshtërojnë Serbinë, e cila është shteti më i afërt me ta.

“Kemi dashur, dhe duam ende, marrëdhëniet më të mira me Serbinë”.

Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja pse Mali i Zi beson se duhet të futet në bisedime me Serbinë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ti zgjidhin pakënaqësitë mes tyre.

“Ne jemi duke e pritur të lajmërohet një takim mes nesh, në rend të parë për benefitin e njerëzve që jetojnë në dy vendet”, shkroi kryeministri malazias.

Reagimi i ministrit të Policisë në Serbi

Ministri i Policisë, i vuri shtresën e dytë të theksit presidentit të tij Vuçiç për poshtërimin e Serbisë nga ana e Malit të Zi, duke thënë se “Serbinë ata s’e kanë poshtëruar, jo sepse s’kanë dashur, por sepse nuk munden”.

Në komentim e sipër të deklaratave të kreut të ekzekutivit malazias, Vulin u shpreh se “Serbinë, më të afërtën e Malit të zi, e kanë deklaruar gjenocidiale për një gjenocid jo-ekzistent, me një qëllim të vetëm, nga dëshira për të poshtëruar Serbinë”.

“Kur Qeveria aktuale e Malit të Zi respekton vendimin e qeverisë së Milo Gjukanoviqit për të dëbuar ambasadorin e Serbisë, sepse ai paraqiti të vërtetën historike në lidhje me Betejën e Mojkovacit, kjo është dëshira për të poshtëruar Serbinë.” “Kur vaksinat që Serbia i dha Malit të Zi u përcillen publikisht anëtarëve të Forcat të Sigurisë të Kosovës, të cilat Serbia nuk i njeh dhe të cilat sipas Rezolutës 1244 nuk duhet të ekzistojnë, kjo është dëshira për të poshtëruar Serbinë”, tha Vulin.

Ai tha se nga kjo dëshirë për të poshtëruar Serbinë ata “poshtërojnë veten”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore