Lajme

Vuçiç: Me njohjen e Kosovës do ta fitoja Nobelin


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një interviste për TV Prva pas kthimit nga Konferenca e Sigurisë së Munihut ka thënë se po të vendoste ta njihte Kosovën si shtet të pavarur, “do të fitonte çmimin Nobel për paqe”.

“Pavarësisht se shumë gjëra nuk janë në favorin tonë dhe Kosova nuk është njohur, Serbia nuk ka asnjë sanksion ndaj vetes. Dhe ne as nuk vendosëm sanksione ndaj Rusisë. Do të isha kampion i demokracisë, fitues i dhjetëra çmimeve dhe me njohjen e Kosovës do të merrja edhe çmimin Nobel”, tha Vuçiç.

Ai është pyetur edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por ka theksuar se aktualisht nuk e dinë zgjidhjen për këtë çështje.

“Kur ta di se cila do të jetë zgjidhja, do ta informojmë opinionin. Nuk e dimë tani. Borrelli u trondit kur Kurti i tha se kishte dhënë një moratorium tremujor dhe ai po gënjen”, shtoi kreu i shtetit serb.

Sipas tij, për shkak të rezolutës së Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Serbi, BE-ja brenda një dite humbi 10 për qind të mbështetjes në Serbi, e cila “nga 50 ra në 40 për qind”.

Në këtë intervistë, Vuçiç është pyetur se pse nuk e duartrokiti Yulia Navalny, gruan e Alexei Navalny, e cila mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih pasi burri i saj vdiq në një burg në Rusi.

“Unë do të shpreh ngushëllimet e mia”, potencoi ai, i cili ishte ulur në rreshtin e parë, por nuk iu bashkua duartrokitjeve të pranishmëve kur Navalny hyri në sallë.

Në vend të kësaj, presidenti serb vendosi kufjet për përkthim dhe më pas vazhdoi të qëndrojë në këmbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore