Lajme

Vuçiç me apel për serbët që të bashkohen në zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shtunën u shpreh se mesazhi i tij drejtuar serbëve në Kosovë është që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ata të jenë të bashkuar.

“Të luftojnë për veten e tyre, për të drejtat e tyre dhe për shtetin e tyre. Të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh dhe të përfaqësohen në institucione kudo që është e nevojshme, të mund të reagojnë brenda institucioneve në forma të ndryshme, por gjithmonë në mënyrë efektive dhe në të mirë të njerëzve të tyre”, tha Vuçiç, bën të ditur N1.info.

“Të jemi në gjendje të reagojmë në institucione në mënyra të ndryshme, por gjithmonë me efikasitet, të jemi me njerëzit tanë, të flasim me njerëzit tanë, jo vetëm në veri, por edhe në gjashtë komuna në jug”.

Ai deklaroi, se Prishtina dëshiron të rivendosë taksat pas marrjes së masave anti-dumping nga Qeveria e Kosovës.

“Duke vepruar kështu, tregojnë vetëm se sa shumë janë lënduar nga ajo që ndodhi në Bërnjak dhe Jarinjë dhe po tregojnë nervozizëm”

Lista Serbe.

Vuçiç kishte deklaruar se të gjithë përfaqësuesit e serbëve, që garojnë në zgjedhjet lokale, e që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do ta kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Kjo parti u formua më 2013.

Që atëherë, ajo është partia kryesore serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ka fituar rreth 90 për qind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb.

Lista Serbe, në zgjedhjet e fundit paralamentrare fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të drejtë vote kanë 1.8 milion qytetarë të Kosovës, që do të zgjedhin 38 kryetarët e rinj të komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore