Lajme

“Vuçiç largohu”, dhjetëra mijëra pjesëmarrës në protestën e gjashtë të opozitës serbe


Ilustrim

Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në Beograd në protestën e gjashtë me radhë të thirrur nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë sikur në ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Serbi, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Siç raportojnë mediat serbe në këtë protestë janë duke marrë pjesë mbi 50 mijë qytetarë serbë.

Protesta ka filluar nga ora 18:00 para Kuvendit të Serbisë, dhe do të vazhdojë edhe pranë institucioneve të tjera serbe.

Kësaj proteste i janë bashkuar shumë personalitete nga fusha të ndryshme, si aktorë, profesorë, këngëtar e profesorë.

Pas fjalimeve të parapara, janë lëshuar tullumbace ku kërkohej dorëheqja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe ajo e kreut të Agjencisë së Sigurisë Informative serbe (BIA), Aleksandër Vulin.

Në balonat bardh e zi shkruhej “Rinisni sistemin”, ndërsa mbi pankartat “Vulin po largohet” dhe “Vuçiç po largohet”.

Ilustrim

Nëse kërkesat që po i parashtrojnë protestuesit serbë nuk realizohen, është paralajmëruar se do të ketë përshkallëzim të situatës.

“Kërkesat tona janë të qarta dhe të realizueshme. Zvarritja me Kuvendin nuk do të na bëjë të dorëzohemi, deri më tani kemi arritur fitore të vogla të përbashkëta dhe janë dëshmi se protestat kanë kuptim. Por kjo nuk mjafton. Ata jo vetëm që nuk e kanë anuluar reality shoë-n, por dje kanë paralajmëruar edhe xhirimet e sezonit të ri. Duhet të ndërpritet menjëherë transmetimi i programeve që promovojnë dhunën, nuk kemi më kohë për të pritur”, ka thënë aktori serb Haxhi Mariçiç në fjalën e tij para protestuesve.

“Nëse kërkesat nuk plotësohen deri në fund të javës së ardhshme, protestat do të marrin një formë të re. Do të nisim aksione të reja nga skena, ndaj ju ftoj që herën tjetër të jeni më shumë se kurrë. Nuk ka kthim”, shtoi ai.

Ata janë duke kërkuar largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), ministrit të Policisë serbe, Bratislav Gashiç dhe kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin, konfiskimin e frekuencës kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy, si dhe anulimin e mediave që promovojnë dhunë dhe urrejtje.

Ndryshe, kjo është protesta e gjashtë me radhë e opozitës serbe, pas asaj të pestës që u mbajt me 5 qershor.

Një nga pankartat që ishte parë më së shumti në atë protestë kishte pasur mbishkrimin “Vuçiç po largohet”, madje këso pankartash ishin ngritur në ajër përmes balonave me helium në mënyrë që të kjo kërkesë të jetë më e theksueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore