Lajme

Vuçiç konferencë të jashtëzakonshme për media – “Më përgatitën atentat, deshën të më vrasin”


Aleksander Vucic, presidenti i Serbise

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme, hipur në një tren zviceran që Serbia sapo e ka blerë, dhe ka shpjeguar se si ishte planifikuar një atentat ndaj tij.

Atentati, siç thotë Vuçiç, ishte planifikuar për 14 janar, derisa “operacionin e kriminelëve” që deshën ta vrisnin e dekonspiruan pasi “një shtet i Bashkimit Evropian na i ka përcjellur të dhënat”.

Arsyet e mundshme që dikush po përgatitej për ta vrarë, sipas Vuçiç, mund të jenë arrestimet e shumta që i ka bërë policia serbe “kundër karteleve të drogës në Serbi”, por, ka shtuar ai, “edhe sepse shumë janë të interesuar për destabilizimin e Serbisë”.

“Jam i sigurt se kemi bërë shumë me arrestimet e mëdha të karteleve të drogës në Serbi dhe ato nuk mund të funksionojnë nëse nuk kanë mbështetjen e strukturave të caktuara shtetërore në një shkallë më të gjerë. Nuk bëhet fjalë për 10 milionë euro, por për qindra milionë e miliarda euro”, ka thënë ai.

“Unë kurrë nuk i kam parë apo dëgjuar ndonjë nga ata njerëz emrat e të cilëve i kam marrë si atentatorë të mundshëm. Nuk kam asnjë gjë personale”.

“Gjithashtu, destabilizimi i Serbisë do të ishte në interes të shumë njerëzve. Prandaj, këto janë disa arsye të mundshme”, deklaroi Vuçiç në paraqitjen e tij nga treni në Televizionin serb Pink.

Radoje Zvicer, i cili thuhet të jetë lider i grupit “Klani Kavaç”

Lajmin për atentatin e mundshëm ndaj Vuçiç, fillimisht e bëri të ditur ministri fashist serb, Aleksandër Vulin. Ai, doli me deklarim për media duke treguar edhe se tashmë i kanë edhe emrat e organizatorëve të atentatit.

Bëhet fjalë për Radoje Zvicer, i cili thuhet të jetë lider i grupit “Klani Kavaç”. Ai, thonë mediat serbe, është fshehur në vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian nën emrin Josip Babiq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore