Lajme

Vuçiç i bindur për fitore që në raundin e parë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është i bindur se do të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Zgjedhjet do të mbahen më 3 prill dhe, pavarësisht se Vuçiç beson në fitoren e raundit të parë, ai thekson se ka humbur vota në Kosovë.

“Unë pres mbi 2 milionë vota, edhe pse paraprakisht kam humbur 55 mijë vota në Kosovë”, ka thënë Vuçiç.

Presidenti serb më tej ka shtuar se nuk i është lejuar organizimi i zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës.

Gjatë intervistës së tij, Vuçiç foli edhe për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai tha se Serbia doli me qëndrimin e saj dhe, më tej, do të reagojë në përputhje me rrethanat e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Serbia doli me qëndrimin e saj, i cili ishte shumë i saktë. Ne reaguam me mend, me mençuri, me përgjegjësi dhe seriozitet. Presion do të ketë, por Serbia është një shtet serioz dhe do të reagojë në përputhje me rrethanat”.

Vuçiç më tej shtoi se vendimet e tij janë në interesin e përbashkët që Serbia të përparojë në rrugën evropiane.

“Mendoj se është në interesin e përbashkët që Serbia të përparojë në rrugën evropiane, por ne nuk jemi anëtare e BE-së dhe duhet të kemi parasysh interesat tona. Edhe kancelari gjerman Scholz thotë se ata nuk mund të jetojnë pa gazin rus, atëherë ata duhet ta kuptojnë një Serbi të vogël dhe pozicionin shumë specifik të saj”.

Së fundmi, ai foli edhe për takimin me ambasadorin e ri të SHBA-ve në Beograd, Christopher Hill, ku tha se, mbetet të shihet se si do zgjidhet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj se do të ketë përpjekje edhe më të forta për bashkëpunim tonë dypalësh dhe se si do të zgjidhim çështjen e Kosovës mbetet për t’u parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore