Lajme

Vuçiç flet me Orban-in për situatën në Kosovë


Aleksander Vucic dhe Viktor Orban

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd është takuar me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Vuçiç, përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se “kohët e vështira dhe pyetjet serioze janë gjithmonë më të lehta kur i ndani me partnerë dhe miq të sinqertë”.

“Prandaj është gjithmonë një kënaqësi e veçantë që e mirëpres Viktor Orbanin, me të cilin kam shkëmbyer mendime për temat aktuale sot, nga situata në Kosovë, për planet për rritjen ekonomike dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, deri te ecurinë e projekteve të përbashkëta, bashkëpunimin dhe lidhjen e Serbisë dhe Hungarisë”, shkroi Vuçiç.

Kreu i Serbisë tha të jetë “krenar” për mbështetjen dhe marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe dy popujve, pra atij serb dhe hungarez, të cilët, sipas tij, “kanë arritur maksimumin historik dhe ne nuk do të ndalemi me kaq”.

“Rroftë miqësia e serbëve dhe hungarezëve, Serbisë dhe Hungarisë!”, përfundoi ai.

Ndryshe, gjatë ditës, Vuçiç, në një konferencë për media, ka potencuar se komuniteti ndërkombëtar po i bën presion Beogradit zyrtar në tri gjëra, njëra ndër ta është edhe njohja e Kosovës.

Përveç kësaj, sipas Vuçiç-it, Serbisë po i kërkohet edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe heqja dorë nga Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Perëndimi dëshiron kthimin e regjimit të vjetër ‘kukull’ në Serbi meqë ata janë më të lehtë të menaxhuar. Kështu ata do ta njihnin Kosovën, vendosnin sanksione ndaj Rusisë dhe do të ishin kundër lidhjeve ekonomike me Kinën”, ka potencuar ai.

Në rolin e viktimës siç rëndom bën, Vuçiç, ka vlerësuar se situata në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, nuk është përmirësuar as pas përpjekjeve të Perëndimit për ta bindur Prishtinën zyrtare që ta ndryshojë qëndrimin e saj.

Prandaj, Vuçiç, ka potencuar se në një të ardhme të afërt Serbia do të detyrohet të marrë vendime për këtë çështje, pa specifikuar se për çfarë vendime bëhet fjalë.

“Do të gjejmë zgjidhje alternative për dërgimin e parave për serbët në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore