Lajme

Vuçiç: Asnjë revolucion s’do të ndodhë në Serbi, protestuesit do të arrestohen


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për shtyp pas protestës masive të opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” të dielën në kryeqytetin serb, kërkoi nga qytetarët serbë të mos shqetësohen, sepse, sipas tij, asnjë revolucion nuk është duke ndodhur në Serbi, derisa ka paralajmëruar arrestimin e disa prej protestuesve.

Një protestë e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” është duke u zhvilluar për momentin para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb, derisa qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve, raportojnë mediat serbe.

“Mos u shqetësoni, sepse nuk ka revolucion, asgjë nuk do të ndodhë. Në këtë moment, bashkë me ata që tentojnë të hyjnë në Asamblenë e Beogradit, janë gjithsej rreth 1195 persona, njëkohësisht dua t’ju ​​them se disa kanë treguar fytyrën, kanë treguar se dhuna është e vetmja mënyrë për të luftuar kundër kundërshtarëve politikë”, pretendoi presidenti serb.

“Ne e kemi paralajmëruar edhe faktorin e huaj, shumë prej tyre janë treguar naivë, nuk kanë dashur as të dëgjojnë e as të shohin se çfarë po përgatitet. Ne nuk do t’i lejojmë ata të shkatërrojnë shtetin. Serbia është mjaft e fortë, institucionet mund të mbrojnë Serbinë dhe Beogradin. Banditët do të dalin para drejtësisë”, shtoi ndër të tjera Vuçiç.

Policia e Serbisë, sipas raportimit të mediave në terren, hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, megjithatë Asambleja e Beogradit mbetet e bllokuar nga protestuesit, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb.

Opozita e Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentit joliberal të Serbisë, i cili pretendoi një fitore në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të 17 dhjetorit, mes akuzave për numrin e madh të parregullsive përgjatë procesit zgjedhor, ka hyrë në grevë urie dhe ka ngritur tendë brenda ndërtesës së RIK-ut në Beograd.

Edhe të shtunën është mbajtur tubimi i gjashtë protestues për shkak të vjedhjes së votave në zgjedhje. Protestuesit i kërkuan presidentit serb që të plotësojë kërkesat e tyre deri të dielën në mbrëmje ose në të kundërtën, do të bllokojnë të hënën të gjithë Beogradin. Në ndërkohë, pritet adresimi i presidentit serb para protestuesve dhe opozitës së bashkuar.

E besimi i qytetarëve serbë ndaj listës së partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, vetëm ka konfirmuar se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore