Lajme

Vritet gazetari meksikan mes të shtënave në një lokal


Brenda një lokali në Meksikën qendrore, tre persona, përfshirë një gazetar të shquar vendas, janë qëlluar për vdekje.

Ngjarja e rëndë ka shënuar vrasjen e 13-të të një punonjësi mediatik këtë vit, teksa dhuna kundër gazetarëve meksikanë përshkallëzohet.

Guvernatori i Guanajuato-s, Diego Rodriguez Vallejo, e ka dënuar vrasjen e Ernesto Mendez, drejtorit të gazetës lokale “Tu Voz”, pasi një grup personash të armatosur hynë në lokalin, të cilin ai e zotëronte.

Mësohet se gazetari ka marrë më parë kërcënime.

“Nuk ishte vetëm pronari i ndërmarrjes që u vra, por fatkeqësisht edhe të tjerë”, ka thënë Luis Gerardo Sanchez, kryebashkiaku i qytetit.

Sipas tij, sulmi la gjithashtu një person të plagosur rëndë.

Ende nuk dihet nëse Mendez ishte regjistruar në programin e qeverisë meksikane për mbrojtjen e gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Gazetarët e përfshirë me organizata të vogla lajmesh në brendësi të Meksikës janë bërë objektiva të lehta dhe zyrtarët e qyteteve të vogla dhe politikanët janë shpesh të dyshuar, së bashku me krimin e organizuar.

Vrasja e Mendezit ndodhi rreth një muaj pasi 47-vjeçari Antonio de la Cruz, gazetar i gazetës rajonale “Expreso”, u qëllua dhe u vra jashtë shtëpisë së tij në Ciudad Victoria në Meksikën verilindore.

De la Cruz ishte gazetari i 12-të meksikan i vrarë që nga fillimi i vitit, duke e bërë vitin 2022 vitin me vdekjet më të shumta të gazetarëve meksikanë.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore