Shqipëria

Vrasja e Klodian Rashës/ Ish-efektivi dënohet me 15 vite burg, flet babai i viktimës


Këtë të mërkurë është zhvilluar procesi gjyqësor i Navaldo Hajdarit, ish-efektivit të forcave Shqiponja, që vrau Klodian Rashën, dhjetorin e kaluar.

Gjykata e Tiranës i ka dhënë Hajdarit 15 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, do kryejë 10 vite heqje lirie.

Gjatë seancës, Hajdari nuk foli, por u përfaqësua nga avokati i tij.

Ky fundit i kërkoi trupës gjyqësore ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”. Gjithashtu ai kërkoi që klienti i tij të merrte minimumin e dënimit.

Në emër të klientit të tij, avokati ka shprehur se Hajdaraj është penduar thellë dhe i ka shprehur ngushëllime familjes.

Më 3 qershor, Prokuroria e Tiranës paraqiti në gjykatë pretencën për vrasjen e Klodian Rashës. Ajo kërkoi dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj.

Fjala e babait të Rashës

Gjatë një prononcimi për mediat pas procesit gjyqësor Qazim Rasha, falënderoi mediat dhe personat që protestuan për ditë të tëra në shesh, për drejtësi.

“Ju falënderoj nga zemra për punën e mrekullueshme që keni bërë. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë trokitur në shtëpinë time këto 216 ditë. Falënderoj të gjithë ata që dolën në sheshet e Tiranës dhe të gjithë botës për Nevaldon”.

Ai u shpreh se vrasja e djalit të tij nuk ishte e zakonshme, por “një makabritet”.

“Ai, që ti paguan me taksat, e tua vret djalin e ri në mes të natës”.

Gjithashtu, Rasha e quajti padrejtësi dënimin me vetëm 15 vite të vrasësit të djalit të tij. Ai e akuzoi atë duke thënë që pas vrasjes u vesh me “petkun e viktimës”.

“Ai kreu vrasjen u vesh me petkun e viktimës, kjo nuk mund të quhet drejtësi. Kjo njollë e zezë duhet t’i hiqet jo mua që kam varrosur gjallin por të bëhet shembull që të kenë të gjithë kujdes për të ruajtur fëmijët e tyre”.

“Si mund të quhet drejtësi kur gjithçka ishte e qartë dhe duhej bërë shembull. Iu dha me një të rënë të lapsit gjykimi i shkurtuar me një të dhënë të lapsit. Me këtë lloj drejtësie askush nuk e gjen drejtësinë”, mbylli fjalën e tij Rasha.

Vrasja e Klodian Rashës

Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i Shqiponjave në Laprakë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dritan Hoxha”, rreth orës 01:10, pas mesnate.

Sipas familjarëve, ai kishte dalё nga shtëpia për të blerë një paketë cigare.

Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”. Pas pesë minutash ndjekjeje nga policia, Rasha u qëllua me armë nga Hajdaraj.

Pamjet filmike tё kamerave tё sigurisё treguan se, mes Klodian Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike. Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Hajdaraj e ka parë se Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Fakti i sipërpërmendur si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit, e ka çuar Prokurorinë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici, Nevaldo Hajdaraj.

Sipas familjarëve, Rasha doli nga shtëpia për të blerë një paketë cigare. Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”.

Vrasja e 25-vjeçarit në lagjen e tij shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe protesta në disa qytete në vend.

Në seancën e 26 marsit, ku ishte i pranishëm edhe babai i 25-vjeçarit të vrarë, ai i kërkoi ndjesë babait të Rashës, duke i thënë se nuk e kishte dëshiruar ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore