Shqipëria

Prokuroria: Vrasja e Klodian Rashës me dashje


Prokuroria ka vëzhguar kamerat pranë rrugës ku u vra 25-vjeçari Klodian Rasha mesnatën e 8 dhjetorit. Pamjet filmike kanë treguar se mes Klodian Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike. Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, polici Hajdaraj e ka parë se Klodian Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Fakti i sipërpërmendur si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit, e ka çuar Prokurorinë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici, Nevaldo Hajdaraj.

Edhe vetë kolegu i Hajdarajt, i cili ka qenë 100 metra larg tyre, ka deklaruar se para vrasjes ka pasur një përplasje fizike për disa sekonda mes Rashës dhe Hajdarajt.

“Personi kaloi karrexhatën në rrugën “Dritan Hoxha”. Ai doli  në trotuar përballë “Zoja e Këshillit të Mirë” duke vrapuar në drejtim të Zogut të Zi. Në këtë moment pashë kolegun Nevaldo, i cili po vinte në drejtim të këtij Klodianit. Përpara dyqanit “Pit stop” është përplasur me atë fizikisht për pak sekonda. Unë isha rreth 100 metra larg. Pas pak sekondash përplasje pashë kolegun Nevaldo të shtrirë përtokë. Në këtë moment dëgjova dy të shtëna armësh. U afrova dhe ngrita kolegun. Së bashku u afruam te viktima, i cili po rënkonte. Njoftuam sallën operative dhe kërkuam ambulancë”, ka deklaruar kolegu i Hajdarajt.

Rikujtojmë se Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i Shqiponjave në Laprakë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:10 pas mesnate. Sipas familjarëve, ai doli nga shtëpia për të blerë një paketë cigare. Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”. Pas pesë minutash ndjekjeje nga policia, Rasha u qëllua me armë nga Hajdaraj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore