Shqipëria

Bedri Qorri, zgjidhet gjyqtar për dosjen Rasha


Gjykata e Tiranës ditën e enjte, më 19 mars, ka hedhur shortin për dosjen e vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Gjyqtari që do merret me këtë çështje nga shorti i hedhur është Bedri Qorri.

Mësohet se seanca e parë do të zhvillohët më 26 mars, në orën 10:00. Gjatë kësaj seance do të vendoset nëse pranohet apo jo kërkesa e prokurorisë për të kaluar për gjykim dosjen.

Vrasja e Klodian Rashës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë, ku një 25-vjeçar kishte thyer orën policore dhe u qëllua për vdekje nga policia.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” pak metra larg shtëpisë së viktimës. I riu nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, por u largua më vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë, në dukje armë zjarri. Ky i fundit ka qëlluar me armën e shërbimit, ku mbeti i vdekur 25-vjeçari.

Pas ngjarjes Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave njoftoi arrestimin e efektivit të Policisë së Shtetit, i cili qëlloi me armë për vdekje të riun, Klodian Rasha.

Prokuroria ka vëzhguar kamerat pranë rrugës ku u vra Rasha.

Pamjet filmike kanë treguar se mes Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike.

Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Hajdaraj e ka parë se Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Fakti i sipërpërmendur si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit, e ka çuar Prokurorinë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici, Nevaldo Hajdaraj.

Sipas familjarëve, Rasha doli nga shtëpia për të blerë një paketë cigare. Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore