Lajme

Vrasja e grave, e mërkura ditë zie në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dita e mërkurë është shpallur ditë zie shtetërore pas vrasjes së një gruaje në Pejë.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndryshe, një grua është vrarë të martën në Pejë, derisa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj i cili është prangosur nga policia.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”, theksoi Nikçi.

Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë. Më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore