Shqipëria

“Votim i regjistruar”: Fiton propozimi i Shqipërisë në OKB, jo i Rusisë


Votimi i shteteve anëtare të OKB-së lidhur me rezolutën që dënon aneksimet ruse në territorin e Ukrainës do të jetë i regjistruar dhe i hapur në fund të procesit.

Kujtojmë që rezoluta është propozuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, duke i konsideruar tentativat e Rusisë si të jashtëligjshme.

Zëvendës ambasadorja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Albana Dautllari propozoi një votim të regjistruar (dhe jo votim të fshehtë), për rezolutën kundër referendumit të aneksimit rus në Ukrainë.

107 vende votuan pro kështu që detajet e votimit do të bëhen publike.

Diplomacia ruse propozoi një votim të fshehtë për rezolutën.

Duke hedhur poshtë propozimin, diplomatja shqiptare kërkoi një sqarim mbi këtë çështje.

Dautllari deklaroi se “kryerja e votimit të fshehtë do të minojë praktikat e kuvendit”.

13 shtete votuan kundër propozimit shqiptar ndërsa 39 shtete abstenuan.

Misioni diplomatik shqiptar i bëri thirrje më herët shteteve anëtare që të votojnë projekt-rezolutën e cila dënon tentativat e Rusisë për aneksime të paligjshme në Ukrainë.

“Shqipëria i bën thirrje shteteve anëtare të OKB-së të votojnë në favor të projekt-rezolutës L.5 që dënon tentativat për aneksime të paligjshme të Rusisë dhe mbështet një zgjidhje paqësore të konfliktit”, shkruan misioni shqiptar.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të dënojë aneksimet e paligjshme ruse.

“Këtë javë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për një rezolutë që do t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë tentativat për aneksime të paligjshme të Rusisë dhe të mbështesë një zgjidhje paqësore të konfliktit”, vëren fillimisht diplomatja amerikane.

Sipas saj, sulmet barbare të Rusisë ndaj civilëve gjatë të hënës vetëm sa i rrisin rrezikun.

Shqipëria i bën thirrje OKB-së që të kalojnë rezolutën kundër aneksimeve ruse

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore