Lajme

‘Vota kundër Kosovës dëshmon se Mali i Zi vijon të komprometohet nga Serbia’


Ilustrim

Danilo Kaleziç, politolog dhe studiues malazez, në një intervistë për gazetën “Pobjeda” të dielën, tha se obsesioni i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj Malit të Zi, zbuloi frikën dhe panikun e presidentit serb për faktin se opinioni në Serbi shumë shpejt do të kuptojë se ai është zotuar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

“Në sfondin e obsesionit tradicional ndaj Malit të Zi, shpërthimi i zemëratës së Vuçiçit duhet të vihet në kontekstin e përdorimit të brendshëm për të demonstruar fuqi dhe supremaci mbi fqinjët rajonalë në përpjekje për të thithur pakënaqësinë publike për faktin se është ai që në të vërtetë njohu pavarësinë e Kosovës”, theksoi politologu dhe studiuese malazez.

Mali i Zi, përveç shteteve mosnjohëse brenda Këshillit të Evropës, doli në skenë duke votuar kundër Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë evropiane që është ngritur mbi parimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Maja Vukiçeviç, deputete nga radhët e Partisë Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi votoi kundër.

Duke komentuar mungesën e reagimit të presidentit dhe kryeministrit të Malit të Zi – Jakov Milatoviç dhe Millojko Spajiç – ndaj deputetes malazeze që votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, shtoi se ky është një shembull tjetër që tregon se pushteti ekzekutiv në Mal të Zi nuk është në gjendje të mbrojë shtetin dhe interesat kombëtare deklarativisht.

“Shpresoj që partnerët tanë perëndimorë të mos e injorojnë këtë. Mali i Zi vazhdon të shpenzojë kredinë e politikës së jashtme që fitoi nga rivendosja e pavarësisë deri në fitoren e kundërrevolucionit klerik. Faza e fundit e komprometimit të rolit rajonal të Malit të Zi është duke u zhvilluar – marrëdhëniet fqinjësore, veçanërisht me Kosovën, janë dëmtuar”.

Serbia shkeli sërish marrëveshjen e fundit kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë sepse neni 4 përcakton që shteti serb nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore