Biznes

Vodka Absolut pezullon eksportet në Rusi


Prodhuesi i vodkës suedeze Absolut po ndalon të gjitha eksportet në Rusi pas thirrjeve për bojkotimin e markës që u përhapën në Suedi dhe në mediat sociale.

Kompania Absolut ka bërë me dije se “ka vendosur të ndalojë eksportin e markës së saj në Rusi”.

Stephanie Durroux, shefe ekzekutiv e kompanisë Absolut, ka thënë në një deklaratë se kompania po ushtron “detyrën e saj të kujdesit ndaj punonjësve dhe partnerëve, nuk mund t’i ekspozojmë ata ndaj kritikave masive në të gjitha format”.

Kompania mëmë Pernod Ricard më herët në prill ka konfirmuar se rifilloi disa eksporte në Rusi, pasi më parë i ndaloi ato në mars 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës.

Kompania ka deklaruar se, që nga nëntori i vitit të kaluar Rusia kishte ndryshuar rregulloret e importit duke lejuar importet paralele të alkoolit pa lejen e importuesve të autorizuar, duke anashkaluar kështu sanksionet e BE-së.

Ricard ka theksuar sakaq se vendimi për të rifilluar eksportet u mor pjesërisht për të mbrojtur stafin e saj në Rusi nga “përgjegjësia penale dhe akuzat për falimentim të qëllimshëm”.

Ndërkohë, veprimi ka ngjallur kritika masive duke përfshirë politikanë të shquar në Suedi.

Kryeministri Ulf Kristersson ka thënë se ishte shumë i befasuar kur mësoi për vendimin.

Të tjerë bënë thirrje për bojkot, duke e quajtur atë një “kolaps moral” dhe një “dhuratë për Putin-in”, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin.

Disa bare dhe restorante të njohura në Stokholm ndaluan shitjen e produkteve.

“Reagimi gjatë ditëve të fundit reflekton qartë rolin që luan Absolut për komunitetin e tij të gjerë në Suedi”, ka thënë Durroux.

“Ne e pranojmë rëndësinë e këtyre marrëdhënieve të gjata dhe të besueshme me punonjësit, partnerët, konsumatorët dhe shoqërinë suedeze në përgjithësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore