Lajme

Vlerësimi për Scholz-in përgjysmohet gjatë një viti, sipas sondazhit


Në Gjermani, gjatë vitit 2022, besimi në të gjitha institucionet kryesore politike ka rënë, duke përfshirë qeverinë federale dhe kancelarin Olaf Scholz.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë gjermane, duke cituar rezultatet e studimit të Trendbarometrit, të kryer nga kompania sociologjike Forsa me porosi të kanaleve televizive RTL dhe NTV.

Si në të gjitha vitet e mëparshme, presidenti federal është më i besuari në mesin e institucioneve politike: 63 për qind e gjermanëve kanë shumë besim te Frank-Walter Steinmeier.

Qeveritë e shteteve federale (46 për qind), kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave të qytetit (44 për qind), përfaqësuesit e qytetit dhe komunave (43 për qind secili) janë të radhës në vlerësimin e besimit me një diferencë të konsiderueshme.

Vetëm 37 për qind e gjermanëve kanë ende shumë besim te Bundestag-u, 34 për qind te qeveria federale dhe 33 për qind te kancelari federal.

Kështu, besimi në qeveri ra me 22 për qind gjatë vitit dhe te Scholz me 24 për qind.

Për krahasim: në kthesën e 2020-2021, në kulmin e Coronavirus-it, 75 për qind kishin shumë besim te paraardhësja e tij, Angela Merkel.

Gjithashtu, 31 për qind e të anketuarve kanë ende shumë besim në Bashkimin Evropian dhe 17 për qind në partitë politike.

Sociologët kanë gjurmuar dallime të qarta në nivelin e besimit në institucionet politike midis mbështetësve të partive individuale.

Votuesit e Partisë Socialdemokrate u besojnë shumicës së institucioneve politike më shumë sesa mbështetësve të bllokut konservator CDU/CSU.

Nga ana tjetër, në mesin e mbështetësve të së djathtës radikale “Alternativa për Gjermaninë” besimi në institucionet politike është 2-3 për qind.

Sondazhi u krye nga 15 deri më 22 dhjetor 2022, bazuar në një kampion përfaqësues prej 4 mijë shtetasish të rritur gjermanë.

Kujtojmë se në vendin e parë mes politikanëve gjermanë ishte bashkëdrejtuesja e “të Gjelbërve”, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Berbock, për të cilën qytetarët u përgjigjën se ishin të befasuar pozitivisht nga aktivitetet e saj gjatë vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore