Lajme

Virusi afrikan arrin në Kosovë – infektologët flasin për rreziqet e përhapjes së tij


Ilustrim, virusi afrikan

Këtë të martë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar se në vend është konfirmuar një rast me Coronavirus të variantit afrikan, i njohur Beta.

Por, sipas infektologut Ilir Tolaj, ky variant nuk dallon me variantet me të cilat është përballur Kosova deri më tani.

Ai ka thënë për Albanian Post se “ky virus që e shkakton sëmundjen COVID-19 është një mutacion gjenetik i varianteve të mëhershme të këtij virusi”.

“Variantet mutante të virusit COVID-19 janë po të njëjtit virus, por i cili në strukturën e vet ka pësuar disa ndryshime të caktuara të cilat e bëjnë më të përshtatshme për t’u përhapur”, tha Tolaj.

“Masat kufizuese në fakt asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim ndërprerjen e përhapjes së infeksionit, sepse kjo është e pamundur por ngadalësimin e përhapjes së tij, duke i kursyer sistemin shëndetësor dhe sistemet e tjera të shoqërisë që të mund të ballafaqohen me numrin e pacientëve”.

“Virusi, gjatë procesit të seksionimit natyror, pëson ndryshime të caktuara të cilat kanë për qëllim që ta bëjnë më të përshtatshëm për t’u përhapur në mesin e specieve sensitive ndaj tij, në këtë rast njeriut”.

Sipas tij, ata që e kanë kaluar virusin COVID-19 janë të mbrojtur nga ky variant, pasi  “edhe nëse rinfektohen në raste shumë të rralla, ecuria e infeksionit është e lehtë”.

“Meqë vaksinat janë mbrojtëse nga të gjitha variantet e virusit shkaktar të COVID-19, në Kosovë duhet të përshpejtohen maksimalisht vaksinimi masiv i popullatës, të gjithëve pa përjashtim”.

Ndryshe nga Tolaj, infektologu tjetër Hamdi Ramadani, ka theksuar për AP se “ky virus është pritur që të mos arrijë në vendin tonë”.

“Kemi shpresuar që vendi ynë pra organet shtetërore, tashmë kanë marrë vendim që as shtetas nga Afrika, Brazili, India, të mos kenë mundësinë të hynë në Kosovë, pasi që lloji afrikan shkakton shumë infeksione”, ka potencuar Ramadani.

“Duhet ndërmarrë masa strikte për ata persona të kontaktit me këta pacientë dhe duhet ndaluar në shtëpi për dhjetë ditë ose më shumë”.

Varianti Beta, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, është përhapur tashmë në së paku 20 vende të botës.

Megjithatë, nuk ka prova se ai shkakton sëmundje më të rëndë nga variantet e tjera, por ka shqetësime se ai mund të përhapet më shpejt.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore