Lajme

Vila italiane e Silvio Berlusconi-t mund të kthehet në muze për fansat e tij


Rezidenca pranë Milanos që i përkiste të ndjerit Silvio Berlusconi mund të shndërrohet në një muze.

Ish-kryeministri italian, i cili ndërroi jetë në qershor në moshën 86-vjeçare, e bleu Vilën San Martino, rezidencën e tij kryesore, në fillim të viteve 1970.

Është vendi ku miliarderi priti takime të ngushta biznesi dhe politike, por edhe intime.

Testamenti i Berlusconi-t pritet të lexohet javën e ardhshme.

Një burim brenda partisë Forza Italia të politikanit ka konfirmuar raportimet se Vila San Martino, në Arcore, në Italinë veriore, mund të shndërrohet në një muze.

Por që në këtë fazë kjo është veçse “një ide e përgjithshme” që po diskutohet mes të afërmve të Berlusconi-t.

Sugjerimi fillestar është që rezidenca të vihet në dispozicion për turne private përpara se përfundimisht ta hapë atë si një muze për publikun e gjerë.

Por çfarë mund të shohin vizitorët?

Berlusconi e mbushi rezidencën me 70 dhoma me vepra arti, duke përfshirë ato të Rembrandt dhe Titian, si dhe qindra portrete – shumë prej tij.

Vila gjithashtu përmban dokumentin e “kontratës me italianët” që ai nënshkroi në televizionin kombëtar dhe në të cilin ai premtoi të ulë taksat, të krijojë vende pune dhe të ndërtojë infrastrukturë, përpara zgjedhjeve fituese të përgjithshme në vitin 2001.

Biblioteka është e pajisur me më shumë se 10 mijë libra, duke përfshirë biografitë e Winston Churchill dhe Margaret Thatcher.

Kurse zyra e tij është e stolisur me dhurata nga liderët botërorë, duke përfshirë mbretëreshën e ndjerë dhe mikun e tij Muammar Gaddafi.

Pasi të hapet për vizitorët, ata do të jenë në gjendje t’i bëjnë nderimet e tyre Berlusconi-t në kopshtin e madh të vilës, ku ai ndërtoi një mauzole mermeri që përmban eshtrat e tij.

Regjistrimet e fjalimeve të Berlusconi-t mund të projektohen nëpër korridoret e vilës, ndërsa një dokumentar – Il fiume della libertà – i bërë në vitin 2013 për të shënuar 20 vjetorin e Forza Italia – do të transmetohet në një xhirim.

Berlusconi, i cili kishte investime në gjithçka, nga prona dhe bankat te media dhe futbolli, la pas një perandori të vlerësuar në 7.4 miliardë dollarë që nga prilli 2023.

Ai nuk la asnjë indikacion, të paktën jo publikisht, se kush do të merrte përsipër perandorinë e tij pas vdekjes.

Berlusconi la dy fëmijë – Marina dhe Pier Silvio – me Carla Elvira Dall’Oglio, gruaja e tij e parë, dhe tre – Barbara, Eleonora dhe Luigi – me Veronica Lario, e dyta.

Pasuria e tij e madhe përfshin klubin e futbollit AC Monza, pronat, jahtet dhe veprat e artit, por pasuria kryesore është Mediaset, transmetuesi më i madh komercial i Italisë dhe mjeti për dominimin e tij në debatin kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore