Shqipëria

Vijon vaksinimi, mbi 955 mijë në total


Shqipëria ka arritur kuotën e 955 mijë e 498 vaksinimeve që prej fillimit të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Në 24 orët e fundit, janë vaksinuar 12 mijë e 59 persona. Kjo e çon totalin më pranë objektivit prej 1 milion të imunizuarve.

29 qershori ka shënuar edhe ditën e parë të vaksinimit të hapur për të gjithë personat mbi 18 vjeç. Fushata do të vijojë edhe gjatë 30 qershorit, si pjesë e një projekti sensibilizimi për t’u vaksinuar.

Sipas objektivave të paracaktuara, qëllimi është pikërisht imunizimi i sa më shumë personave brenda ndryshimi të stinëve dhe ardhjes së dimrit.

Me rëndësi ka qenë edhe mbërritja e vaksinave në mënyrë të rregullt nga kompanitë e kontraktuara apo marrëveshjet me vendet donatore.

Kështu, në tërësi, rreth 1.2 milionë vaksina kanë ardhur në Shqipëri. Prej tyre, thuajse gjysma janë nga prodhuesi kinez Sinovac. pjesa e mbetur ndahen midis kompanive Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V.

Për rreth 400 mijë qytetarë ndërkohë, është përmbyllur tërësisht procesi i vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore