Shqipëria

Vijon hetimi ndaj dy britanikëve të arrestuar në Shqipëri për spiunazh


Dy britanikët, të cilët u arrestuan nga autoritetet shqiptare nën akuzën për spiunazh, po hetohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Kjo e fundit po ndihmohet edhe nga njësia britanike e Kibernetikës.

Lajmin e bëri të ditur gazeta britanike “Mirror”, përcjell Albanian Post.

Policia kufitare gjeti një javë më parë radio transmetues në bagazhet e shtetasve britanikë.

Dyshja u pyetën mbi akuzat për spiunazh nga oficerët në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasi zbuluan radio të sofistikuara Kenwood.

Ata u thanë zyrtarëve shqiptarë se ishin inxhinierë IT-je, që mbanin pajisjet amatore për hobi gjatë pushimeve në Shqipëri.

Policia shqiptare konfirmoi se ka hapur një hetim mbi akuzat për “aktivitete spiunazhi” dhe “spiunazh”.

“Është shumë e pazakontë të mbash këtë lloj pajisjeje dhe akoma më e çuditshme që dikush të ndalohet dhe të akuzohet si agjent i fshehtë”, zbuloi një burim i botimit britanik.

Dy britanikët u mbajtën më 30 maj dhe, më pas, u lejuan të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, ata mbetën nën hetim, thotë policia.

Kompleti elektronik i Kenwood – i cili prodhon një sërë pajisjesh komunikimi të fundit – u dërgua në Laboratorin Kriminalistik Shqiptar për ekzaminim të mëtejshëm.

Drejtori i Policisë Kufitare, Eduard Merkaj, shtoi se hetimi po vazhdon dhe autoritetet po vijojnë këqyrjen e makinerive të sekuestruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore