Lajme

Video-ja 30-sekondëshe e PDK-së për “sukseset” e Qeverisë Kurti: Dy vjet veç arsyetime e dështime


Pamja e ekranit/Video e PDK-se

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasditen e së mërkurës ka publikuar një video në llogarinë e tij zyrtare në Facebook përmes së cilës e ka kritikuar qeverisjen dy-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka marrë detyrën më 23 mars të vitit 2021.

Krasniqi në përshkrim të video-s ka shkruar se këto dy vite kanë qenë “dy vjet me arsyetime dhe dy vjet me dështime”. Kjo video titullohet “‘Sukseset’ e kryeministrit Kurti për dy vjet qeverisje në 30 sekonda”.

Në këtë video, në mënyrë ironike përmenden ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë kësaj kohe, duke u nisur nga zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, skandalit financiar të Martin Berishaj, marrëveshja në Ohër dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, kjo video nuk është e para që është prodhuar nga ana një partie politike në Kosovë e me gjasë nuk do të jetë as e fundit. Një video tjetër që ngjalli shumë reagime në opinionin publik ishte ajo e partisë në pushtet që qe titulluar “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.

Aty akuzoheshin ish-pushtetarët për vjedhje e keqpërdorime të pronës publike, kurse në një video tjetër të disa muajve më parë me titull “Shkatërruesit e Shtetit”, akuzoheshin rëndë liderë politikë e biznesmenë për “shkatërrimin 20-vjeçar të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore