Lajme

Vettingut nuk do t’i nënshtrohen Gjyqtarët e Kushtetueses


Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i nënshtrohen procesit të vettingut në Kosovë, ashtu siç do të bëjnë të gjithë gjyqtarët e prokurorët e institucioneve të tjera të drejtësisë në vend.

Mospërfshirjen e gjyqtarëve të kushtetueses në këtë proces, njohësit e sistemit të drejtësisë e arsyetojnë me faktin se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë mandat të përhershëm.

“Në Kosovë një gjë e tillë nuk ka kuptim, sepse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë mandat të përhershëm siç janë gjyqtarët dhe prokurorët e rregullt”, ka deklaruar Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për EO.

Këta gjykatës, ka vazhduar më tej Miftari, “emërohen nga Kuvendi i Kosovës përmes një procesi që kryesisht udhëhiqet nga Kuvendi. Pra, është e pakuptimtë të zhvillohet një proces i vettingut për një numër të caktuar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetueses që kanë mandat maksimumi 9 vite”, tha ai duke shtuar se Gjykata Kushtetuese është gjykatë e re, e paraparë me Kushtetutë dhe e themeluar me një ligj të veçantë.

Procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë i nisur nga Qeveria, në fund të vitit të kaluar u bart në Kuvend. Për përgatitjen e bazës ligjore për vettingun dhe administrimin e tij u formua Komisioni ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.

Kuadri ligjor pritet të finalizohet gjatë këtij viti. Kjo i hap rrugë fillimit të vettingut të cilit do t’i nënshtrohen gjyqtarë e prokurorë, por jo edhe gjyqtarët e Kushtetueses.

Në Shqipëri, vettingu i kishte prekur edhe gjyqtarët e kushtetueses. Kjo praktikë është e rrallë dhe e panevojshme për Kosovën, thotë juristi Miftaraj.

Por, Kadri Kryeziu, ish gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka mendim ndryshe. Ai vlerëson se gjyqtarët e këtij institucioni mund t’i nënshtrohet vettingut fare në fund të procesit, ashtu siç kanë bërë shumë vende të ndryshme të botës.

“Për mos përfshirjen tash janë dy situata. E para, se Gjykata Kushtetuese është gjykatë e re në raport me gjykatat e tjera në vend. Dhe e dyta është se Gjykata Kushtetuese nuk është në kuadër të Ligjit mbi sistemin juridik të Kosovës, por është themeluar me ligj të veçantë apo “lex-specialis”, ka treguar Kryeziu.

“Për këtë arsye mund të vonohet, por më vonë edhe gjyqtarët e kushtetueses kanë për t’iu nënshtruar procesit të Vetingut”, shtoi ai.

Në Gjykatën Kushtetuese nuk identifikohen problemet si në gjykatat e shkallës së parë, të dytë, të tretë dhe në Prokuroritë e Kosovës, thuhet në dokument.

Si arsye për mospërfshirjen e gjyqtarëve të Kushtetueses, është kompetenca e tyre për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve të tjera më aktin më të lartë juridik në vend.

Po ashtu përmendet edhe fakti që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë mandat të përhershëm por mandat 9 vjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Sipas koncept dokumentit për Vetting, përfshirja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, do të kushtonte në ndryshimin e kushtetutës që do qonte në bllokimin e kësaj gjykate.

“Vettingu për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të nënkuptonte ndryshime të thella në Kushtetutë apo suspendim të neneve kushtetuese që flasin për përbërjen, mandatin, pavarësinë dhe organizimin e saj, rezultati i të cilave nuk do të ishte përmirësimi i Gjykatës Kushtetuese, por bllokim i saj”, nënvizohet në koncept dokumentin e përgatitur për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Në këtë dokument gjithashtu thuhet se raportet ndërkombëtare nuk kanë kritikuar punën dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe nuk parashihet përfshirja e kësaj gjykate në Vetting.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore