Lajme

Veteranët kërkojnë shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Hekuran Muratit: Janë kundër vlerave kombëtare


Ilustrim: Protesta e Veteranëve, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati

Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kundërshtojnë me çdo kusht miratimin në lexim të dytë të projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagën minimale, e ku këta të fundit nuk janë përfshirë në të.

“Ne do të protestojmë, do të kundërshtojmë” ka thënë kryetari i shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i cili ka potencuar se nuk do të mbajnë përgjegjësi nëse protesta në fjalë do të dalë jashtë kontrollit.

“Forma e parë e kundërshtimit do të jetë protesta, nuk garantojmë nëse eskalon situata sepse është qeveria dhe kryeministri në këtë vend që po e bën një veprim për të ardhur deri këtu dhe mendoj që përgjegjësia bie mbi ata që shkaktojnë probleme dhe jo ata që kërkojnë të drejtat e tyre”, ka thënë Jashari në një intervistë për KosovaPress.

Qeveria thotë se paga minimale dhe benefecioni i veteranëve janë çështje të ndara, ndërsa insiston në një ligj të ri me lista të pastruara dhe më pas edhe mundësi që kjo kategori të trajtohet, dinjitetshëm.

Ndërkaq, veteranët kanë protestuar dy herë para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale.

Pas protestës së dytë të veteranëve, përfaqësuesit e organizatave ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti, i cili kishte propozuar hartimin e një ligji të ri për veteranët dhe nisjen e procesit të vlerësimit dhe verifikimit të pjesëmarrësve të luftës.

E për këtë qëndrim të Qeverisë Jashari thotë se asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor për veteranët, i kthyer në rigjykim nga Apeli.

“Ne nuk i frikësohemi verifikimit, as komandantët e zonave, as përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta. Asnjë rivlerësim dhe asnjë verifikim nuk mund të bëhet pa përfunduar procesi gjyqësor që është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit”, shton Jashari.

Për Jasharin, Albin Kurti nuk duhet të mbajë në Qeveri ministrat si Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla, pasi sipas tij ata janë deklaruar se janë kundër vlerave të luftës.

“Do të insistojmë që njerëzit e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm që nuk kanë vlerë, siç e kemi rastin e Hekuran Muratit dhe Donika Gërvallës që të mos jenë pjesë e qeverisë. Ne insistojmë që të civilizohen dhe ta rrisin një kulturë të përmasës kombëtare, që njerëz të tillë që fyejnë vlerën mbi të cilën vlerë kanë ardhur ata dhe sot i gëzojnë këto pozicione në cilin do institucione, që të mos jenë pjesë e këtyre institucioneve, sepse rrugëtimi ynë do të vështirësohet me njerëz të tillë të papërgjegjshëm të pandërgjegjshëm”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore