Kosova

“Vetëqeverisje e duhur për Asociacionin” – Neni 7 i Marrëveshjes Bazë që godet sistemin kushtetues të Kosovës


Foto nga Albanian Post

Një dokument prej 10 pikësh i është lënë në tavolinë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nga 5-shja diplomatike që kishin zbarkuar për vizitë në Prishtinë dhe Beograd më 20 dhe 21 janar.

Por, në propozimin franko-gjerman (evropian) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që është pothuajse i njëjtë me atë e kishte publikuar Albanian Post, e paqartë për opinion mbetet pika shtatë e kësaj marrëveshje, meqë aty thuhet se “komunitetit serb i sigurohet një niveli i duhur i vetëqeverisjes dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë”.

Për ligjëruesin e medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, kjo pikë përmendet edhe në Planin e Ahtisarit, derisa sqaron se çka do thotë niveli vetëqeverisjes për serbët, por edhe alarmon se i “tërë sistemi kushtetues si organizim politik mund të tronditet” nëse kjo kompetencë përfshihet në “Marrëveshjen Bazë”.

“Pra, serbët e Kosovës duhet të ndjehen të sigurt që vetëqeverisen në fushat e caktuara si arsimi dhe administrata lokale me një nivel të pranueshëm të ndikimit apo drejtimit të strukturave të sigurisë si Policia e Kosovës. Çka ‘vetëqeverisja e duhur’ nuk përfshinë është përfaqësimi jashtë dhe aftësia për marrëdhënie ndërkombëtare pasi që nëse kjo kompetencë përfshihet, atëherë i tërë sistemi kushtetues si organizim politik tronditet dhe nuk do kemi nevojë më për ulëset e rezervuara, pjesëmarrje të domosdoshme në ekzekutiv dhe përfshirje të domosdoshme në rast të aprovimit të ligjeve me rëndësi të madhe duke përfshirë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës”, thotë Hoxha për Albanin Post.

Valon Murtezaj dhe Abit Hoxha

Po ashtu sipas Hoxhës, problem do të jetë subjektiviteti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përbrenda Kosovës, meqë mendon se do të jetë “një anomali e sistemit politik”.

“Për shembull, komunat në veri të Kosovës mund të vendosin të kenë libra të caktuara për mësimdhënie dhe kurikula nga Serbia apo mund të marrin donacione dhe investime nga Serbia në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Financave dhe sistemin financiar në Kosovë dhe për këtë vendimet merren në asociacion dhe jo në Kuvendin e Kosovës. Në një formë, asociacioni është dekonstruktim i artikullit gjashtë të propozimit të Ahtisarit për themelimin e shtetit të Kosovës”, vuri në pah ai.

Ndërsa për profesorin e negociatave ndërkombëtare dhe diplomacisë në Universitetin francez “IÉSEG”, Valon Murtezajn, është e domosdoshme që referenca në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të jetë e pranishme në dokumentin në fjalë.

“Duhet të saktësohet çfarë nënkupton ‘nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë’, dhe cila është njësia matëse e ‘nivelit te duhur’, përderisa Kushtetuta aktuale ofron garanci të duhur për te drejtat e secilit qytetar të Kosovës pa dallim, dhe po ashtu ofron vetëqeverisje komunale të mjaftueshme”, tha Muratezaj.

Madje, kërkon vëmendje të shtuar të kryeministrit Kurti, gjatë procesit të negociatave lidhur me propozimin.

“Nuk ka ndonjë përvojë ekzistuese evropiane apo situacion që i përshtatet plotësisht kontekstit të Kosovës, kur flasim për aspektet që ndërlidhen dhe kanë ndikim rregullimin e brendshëm të Kosovës”, shtoi ai.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Ditë më parë, Gazeta serbe Danas duke u mbështetur në burime diplomatike pati raportuar se ka siguruar dokumentin e fundit 10 pikësh të quajtur “Marrëveshja Bazë”, i cili u diskutua në dy takimet e fundit të 5-shes diplomatike që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Ndërkaq pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, që kaloi dy orë brenda zyrës së Kurtit, bashkë edhe me kolegët e tij diplomatë, Gabriel Escobarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner-in nga Gjermania, Emmanuel Bonnen nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia, pati thënë se “është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike”.

“Në këtë takim diskutuam propozimin tonë ku kemi kaluar më shumë se dy orë me kryeministrin Kurti. Takimi ishte i gjatë dhe jo i lehtë, por i hapur dhe i sinqertë”, kishte theksuar diplomati sllovak.

Iniciativa diplomatike: Perëndimorët me hapa të shpejtë në dialog

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore