Lajme

Iniciativa diplomatike: Perëndimorët me hapa të shpejtë në dialog


Ilustrim/Albanian Post

Se propozimi i Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po merr konturat e para të një “Traktati Ndërkombëtar” është dëshmuar përgjatë dyzetetetë orëve të fundit nga komuniteti perëndimor përmes një aksioni diplomatik shumë më të dendur se gjatë një viti në tërësi.

Në një periudhë përpjekjesh për gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale” në bazë të propozimit franko-gjerman e në frymën e kompromisit, të premten në Prishtinë dhe Beograd zbarkuan një ushtri diplomatësh, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Zbarkimin e Uashingtonit, Parisit, Berlinit, Brukselit e Romës në kryeqytetet respektive, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e quajti “sinjal në vetvete” teksa përmendi peshën e atij delegacioni të përbërë nga top-diplomatë si Gabriel Escobar, Jens Plotner, Emmanuel Bonne dhe Francesco Talo.

Gazetari gjerman i të përditshmes Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se sipas burimeve të tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundit me diplomatët evropiano-amerikanë ka vënë një kusht për ta pranuar propozimin franko-gjerman për marrëveshje me Serbinë.

“Më është thënë se Kurti ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e perëndimorëve për zgjidhje atij i duhet garanci se 5-shja e shteteve mosnjohes brenda Bashkimit Evropian do ta njohin Kosovën. Kurti këtë e ka kërkuar të jetë pjesë e shkruar e Marrëveshjes”, ka shkruar Martens duke iu referuar Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Greqisë dhe Rumanisë.

Në funksion të kësaj, ndërmjetësi i BE-së ka vazhduar tutje përpjekjet e tij diplomatike përgjatë dy ditëve të fundit në kuadër të disa takimeve bilaterale me përfaqësuesit e këtyre shteteve, të cilët edhe më herët patën deklaruar se qëndrimi i tyre në raport me pavarësinë e Kosovës mund të ndryshojë, por vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet ndërmjet tyre.

“Ne kemi nevojë për progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë moment kritik. Mirënjohës ndaj Spanjës për mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së. Faleminderit!”, ka shkruar Lajçak në Twitter pas njërit prej takimeve që zhvilloi me përfaqësuesin e Qeverisë së Spanjës.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pas takimit që zhvilloi me “pesëshen e madhe” që vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 20 janar, në një fjalim drejtuar popullit serb dha sinjalet e para se është afër pranimit të propozimit franko-gjerman për marrëveshje me Kosovën sepse Serbia do të përballet me sanksione serioze nëse nuk e pranon  zgjidhjen e ofruar.

“Më thanë se duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: ndërprerje e procesit integrues në Evropë; me ndalim dhe tërheqjen e investimeve; me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”, tha Vuçiç.

Ndërkaq, në vorbullën e shumë zhvillimeve të muajve të fundit muri i pakalueshëm dhe njolla e zezë është një: Asociacioni i komunave me shumicë serbe që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 2013 dhe që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare ndërsa SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë zbatimin e saj.

Emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen vullnet apo mënyrë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, administrata amerikane do të kërkojë “partnerë alternativë”, duke shtuar se një njeri nuk mund t’i ikë këtij obligimve të Kosovës.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, nënvizoi diplomati amerikan.

Në ndërkohë, në linjë me paralajmërimin e Escobar-it, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dërgoi të martën ftesa për takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike për diskutime më të detajuara lidhur me propozimet dhe përgatitjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mekanizëm që do t’iu jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, kanë bërë të ditur nga ambasada teksa kanë thënë se synimi i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

Lëvizja e fundit lidhur me këto zhvillime erdhi nga këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Albin Kurti dhe ka kërkuar nga ai që ta pranojë propozimin franko-gjerman.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Ka kaluar më shumë se një dekadë prejse Kosova e Serbia janë angazhuar në një dialog të përbashkët ndërmjetësuar nga BE-ja nga ku u nxorën më shumë se 30 marrëveshje, por e vetmja herë kur liderët e dy shteteve kanë vendosur lapsin në letër është kur kanë nënshkruar dokumentet e propozuara nga Brukseli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore