Lajme

Vetëm në 3 muaj, 10 policë të Kosovës e zhveshën uniformën


Dhjetë zyrtarë policorë e kanë lënë punën në Policinë e Kosovës vetëm në tre muajt e parë të këtij viti.

Shkak u bënë kushtet jo të mira në këtë institucion, njofton Sindikata e Policisë.

Në një prononcim për Ekonomiaonline, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se paga e ulët është një ndër shkaktarët kryesorë pse policët po e zhveshin uniformën.

“Nuk mund të themi se të gjitha rastet janë për Ligj të pagave, por janë për të gjitha këto kushtet, ka mundësi të jetë edhe ndonjë individ për shkaqe familjare, mirëpo nëse ndalemi që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më tani kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, e që ju e dini që Policia e Kosovës është themeluar në shtator 1999”.

Mungesa e ligjit të pensionimit e një sërë arsye të tjera janë shkaqet të cilat i përmend Zeqiri si pakënaqësi të zyrtarëve policorë të cilat asnjëherë nuk morën mbështetjen institucionale.

“Jemi polici pa Ligj të Pensionimit, e cila edhe kjo është një kërkesë që të kemi një ligj të pensionimit në moshën 55 vjeçare, arsyeja e parë është që mosha mesatare e policisë ka arritur në 47 vjet”.

“Mandej policët, zyrtarët policorë kur e përfundojnë karrierën janë pa pension, pse e them këtë, për shkak se ata e marrin një pension të pleqërisë, si çdo qytetarë tjetër që e arrin moshën 65 vjeçare edhe këta e marrin një pension të pleqërisë, kështu që vërtetë është diskriminuese dhe kjo është ajo kërkesë prioritare edhe për Sindikatën që ky ligj të dërgohet sa më parë në Kuvend për implementim, sepse ligji veç se është i hartuar dhe ka mundësi të bëhet vetëm me pak përmirësime të vogla dhe të ecë”, specifikoi Zeqiri.

Imer Zeqiri, Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

Për mungesën e shtesave për rrezikshmëri në punë, ai tha se ministria dhe Qeveria janë arsyetuar që nuk kanë mundur ta bëjnë përllogaritjen në kohë të duhur.

“Kjo është njëfarë forme dhe ministria edhe Qeveria janë arsyetuar gjoja se nuk kanë mundur ta bëjnë atë përllogaritjen e tyre e që i njëjti skandal ndodhi edhe me pagat e muajit mars sepse as me pagën e muajit mars nuk janë ekzekutuar këto, domethënë arsye e tyre është se nuk kanë mundur ta bëjnë përllogaritjen ndërsa në Ligjin e Pagave aty ku ne si Sindikatë kemi pasur vërejtje se është kufizuar ajo shuma për shtesën për rrezikshmëri”.

Me qeverinë e Kosovës, Zeqiri tha se kanë kontakt vetëm përmes shkresave zyrtare, nga ku ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është i njoftuar për kërkesat e PK-së.

“Neve si sindikatë jemi në pritje të premtimeve të Qeverisë, mirëpo neve do të veprojmë komfor kërkesave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, cilado që të jenë ato neve do të veprojmë sipas kërkesave të tyre. Neve kemi kontakt me Sindikatat e tjera, kemi kontakt edhe me Qeverinë përmes shkresave këtë vit neve nuk kemi realizuar asnjë kontakt me Qeverinë, përkundër kërkesave tona që së paku me Ministrinë e Punëve të Brendshme të realizojmë ndonjë takim dhe t’i shpalosim këto të gjithat, edhe pse për të gjitha këto që i thashë ministri i Punëve të Brendshme është i njoftuar”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore