Lajme

Vështirësohet kontrolli i flakëve në Peru, në rrezik siti arkeologjik Machu Picchu


Zjarrfikësit peruanë janë duke luftuar mes flakëve, afër rrënojave të qytetit të lashtë Inca në sitin arkeologjik të Machu Picchu-t.

Vatra e zjarrit, sipas autoriteteve vendase, kërcënon të përfshijë qytetin antik në Malet Ande.

Sipas kryetarit të bashkisë së qytetit aty pranë të Cusco, “që nga e mërkura, rreth 20 hektarë ishin prekur nga zjarri”.

Ai tha edhe se zjarri, i cili kishte përfshirë një zonë sa gjysma e madhësisë së qytetit të Vatikanit, u ndez të martën nga fermerët, me qëllim për të djegur barin dhe mbeturinat për të mbjellë më pas të korrat.

Machu Picchu, kompleks strukturash guri të vendosur në majë të një mali, u ndërtua më shumë se 500 vjet më parë nga Inca, perandoria e të cilëve kontrollonte pjesë të mëdha të Amerikës së Jugut, nga ajo që është sot Ekuadori Jugor deri në Kilin Qendror.

Largësia e zjarrit ka penguar përpjekjet e zjarrfikësve.

“Ne tashmë kemi luftuar zjarrin në pyll për dy ditë dhe nuk ka qenë e mundur ta vëmë nën kontroll, duke qenë se zona është mjaft e paarritshme”, tha Roberto Abarca, drejtor i zyrës së menaxhimit të rrezikut dhe sigurisë në Cusco.

Rrënojat, të cilat e kanë bërë rajonin përreth Cusco destinacionin kryesor turistik të Perusë, konsiderohen si një nga shtatë mrekullitë e reja të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore