Lajme

Veriu nën monitorimin e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it – thotë Barbano


Ilustrim

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielen, deklaroi se ekipet policore të EULEX-it janë duke e monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Barbano njoftoi se monitorimi i situatës së sigurisë nga EULEX-i bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Forcën e NATO-s (KFOR), derisa qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës –  Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan – mund të votojnë nëse duan t’i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë të zgjedhur vitin e kaluar.

“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat ku po zhvillohet votimi për largimin e kryetarëve”, shkroi Barbano.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 11:00 në katër komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – vetëm 85 persona morën pjesë në këtë proces demokratik që u nis nga vetë serbët.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të territorit kosovar që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend, duke bërë që serbët në këtë pjesë të Kosovës të bojkotojnë procesin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Mbi 20 për qind e votuesve të regjistruar në secilën nga katër komunat veriore nënshkruan peticionet për largimin e kryetarëve aktualë të komunave si pjesë e një procesi demokratik të iniciuar nga vetë votuesit serbë sipas legjislacionit të Kosovës dhe përkrahuar nga Lista Serbe. Megjithatë, dalja e qytetarëve serbë në votime deri tani është shumë e ulët.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në rast se në votimet e 21 prillit në pjesën veriore të territorit kosovar nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore