Lajme

Veriu i ngrirë


Rruga e bllokuar në Jarinje

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e dhjetë ditë, pasi më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka vendosur zbatimin e masës së reciprocitetit për tagrat e automjeteve të Serbisë të cilat hyjnë në Kosovë.

Të martën, Lista Serbe në emër të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, përmes një komunikate kanë thënë se kanë kundërshtuar zëvendësimin e pjesëtareve të Njësisë Speciale të Kosovës, me ushtarë të KFOR-it, pasi do të mbetet në fuqi vendimi për reciprocitetin me targat e automjeteve nga Serbia.

Në komunikatë thuhet se kryetarët e komunave nga veriu gjatë ditës së hënë në bisedë me komandantin e KFOR-it kanë marr propozimin që “forcat speciale shqiptare” të zëvendësohen me ushtarë të KFOR-it, “por që vendimi i njëanshëm i Prishtinës për konfiskimin e targave serbe dhe rrezikimin e lirisë së lëvizjes të mbetet në fuqi, dhe që veriu të bëhet geto serbe”.

“Në konsultim me qytetarët tanë, njëzëri hodhëm poshtë një propozim të tillë. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi të gatshëm të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën për lirinë e lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne dekada më parë dhe që duhet të zbatohet për serbët në këtë zonë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, në emër të kryetarëve të katër komunave në veri.

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç dhe komandanti i forcave të KFOR-it, Francesco Federici

Më 27 shtator, Zyra për media e KFOR-it ka njoftuar se kanë marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

Sipas njoftimit për media të KFOR-it, “masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim deeskalimin e shpejt të situatës”.

Ndërkaq këtë të mërkurë në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohet me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, pas situatës së tensionuar në veri, pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator ka filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Drejtori e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Çështja kryesore e bisedimeve do të jetë situata e fundit, ku do të tentohet të gjendet një rrugëdalje dhe të vendoset si do të vazhdohet me kërkesën e Kosovës për reciprocitet me targat.

Në këtë raund pritet të jepet një zgjidhje dhe të arrihet një pajtim për targat dhe kalimet e dyanshme të veturave në këto pika kufitare. Veç kësaj teme, do të bisedohet edhe për disa çështje të tjera, që lidhen me këtë situatë të krijuar në pikat kufitare.

Targat RKS

Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore