Lajme

Vendet baltike dakordësohen të kufizojnë hyrjen e rusëve me viza Shengen


Lituania, Letonia dhe Estonia ranë dakord të kufizojnë ndjeshëm hyrjen e rusëve me viza të vlefshme Shengen.

Kështu ka bërë të ditur të mërkurën kryediplomati letonez, Edgars Rynkevičs.

“Vendet baltike kanë arritur një marrëveshje për kufizimin e ndjeshëm (me disa përjashtime) të kalimit të kufirit nga qytetarët e Federatës Ruse që kanë viza Shengen të BE-së”, tha diplomati letonez në Twitter.

Sipas tij, vendimet do të merren nga qeveritë kombëtare në përputhje me procedurat kombëtare dhe do të hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë.

Pas diskutimit të 31 gushtit, ministrat e jashtëm të BE-së vendosën të ndalojnë plotësisht marrëveshjen për thjeshtimin e regjimit të vizave me Federatën Ruse dhe kanë udhëzuar Komisionin Evropian të mendojë se çfarë të bëjë me miliona viza të vlefshme ruse.

Ministrat ranë dakord gjithashtu që vendet fqinje të Rusisë mund të ndërmarrin hapa individualë për të kufizuar hyrjen e rusëve.

Më 6 shtator, parlamenti ukrainas i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të anulojë lëshimin e vizave turistike të qytetarëve të Federatës Ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore