Bota

Vdes vrasësi serial më “pjellor” në Amerikë


Samuel Little, një ndër vrasësit serialë më “pjellorë” në Amerikë, me thuajse 60 vrasje të konfirmuara, vdiq në një spital në California në moshën 80 vjeçare.

Nga spitali i California-s u bë me dije se Little vuante nga diabeti dhe problemet e zemrës. Ai po vuante dënimin e përjeshtëm për vrasje të shumëfishta.

Shkaku i saktë i arsyes së vdekjes së vrasësit serial do të përcaktohet nga ekzaminimet mjekësore.

Për shumë vite Little nuk e pranoi autorësinë e krimeve të tij. Vetëm në vitin 2018, ai u rrëfye tek një polic nga Texas-i, James Holland, për një seri vrasjesh që kishte kryer. Ai u intervistua për rreth 700 orë.

Viktimat e Little

Duke qenë se Little kishte dhunti në pikturë, ai vizatoi dhjetëra skica të viktimave. Në rastet që mbante mend më mirë ai shtonte detaje si emrin, vitin e vrasjes dhe vendin ku kishte kryer krimin. Gjithashtu në shumë raste ai përshkruante dhe vendin ku kishte hedhur trupat e viktimave.

Skica që Samuel Little ka bërë për të përshkruar viktimat e tij

Deri në vdekjen e tij, Little kishte rrëfyer për vrasjen e 93 personave. Këto vrasje kishin ndodhur në periudhën 1970-2005. Pjesa më e madhe e tyre në Florida dhe South Carolina.

Autoritetet vazhduan hetimin e rrëfimeve të vrasësit dhe kanë konfirmuar thuajse 60 raste. Pavarësisht se të tjerat janë të pakonfirmuara, policia nuk ka arsye pse të dyshojë autorësinë e tij.

Holland, në një prononcim për CBS, theksoi faktin se “gjithçka ai ka marrë përsipër ka rezultuar e vërtetë”.

Numri i vrasjeve që Little ka kryer lë pas emra të tjerë famëkeq vrasësish serialë në SHBA, si Gary Ridgeway me 49 vrasje, Ted Bundy me 36 apo John Gracy me 33.

“Shpresoj që rrëfimi im të lirojë nga burgu njerëz që mund të jenë dënuar padrejtësisht për ato krime”, deklatonte Little nga burgu përpara vdekjes./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore