Lajme

Vdes një person në Qendrën e Azilit në Lipjan


Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Albanian Post se një 26 vjeçar është gjetur i vdekur në Qendrën e Azilit në Magurë të Lipjanit.

“Rreth orës 09:15, është pranuar informata për një trup të pajetë, në Qendrën e Azilit në Magurë të Lipjanit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, 26 vjeç, shtetas i huaj”, tha Borovci.

Ai ka theksuar se organet e rendit kanë nisur një hetim.

“Policia me kujdes të shtuar po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ekzaminuese, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, shtoi ai.

Institucionet e Kosovës, vite më parë kanë rregulluar një qendër për azilkërkues me kapacitet për 100 persona në fshatin Magure të Komunës së Lipjanit.

Por, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve, vitin e kaluar është hapur edhe një qendër tjetër për emigrantet në fshatin Vranidoll të komunës së Prishtinës, me më shumë kapacitet.

Emigrantët apo azilkërkuesit pasi marrin një letërnjoftim, ata kanë të drejtë të qëndrojnë në Kosovë të lirë deri në një vendim ligjor për statusin e tyre.

Ata, gjatë kësaj kohe, mund të lëvizin të lirë në gjithë Kosovën nga ora 7 në mëngjes deri në orën 22 të mbrëmjes.

Sipas ligjit në fuqi, Kosova i jep statusin e refugjatit shtetasve të huaj apo personave pa shtetësi, me kërkesën  tyre, të cilët i plotësojnë kriteret e refugjatit, sipas ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore