Lajme

Vdes gjenerali serb – i njohur për nënshkrimin e kapitullimit të Serbisë


Svetozar Marjanoviç

Ka vdekur në moshën 77 vjeçare ish-gjenerali i ushtrisë serbe (ushtrisë së Jugosllavisë) Svetozar Marjanoviç, njëri nga dy nënshkruesit e palës serbe të marrëveshjes së kapitullimit të Serbisë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Kumanovës.

Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më nëntë (9) qershor të vitit 1999 i kishte dhënë fund sundimit serb mbi Kosovën.

Gjenerali serb (jugosllav) Svetozar Marjanoviç dhe lejtnant gjenerali britanik, Michael Jackson pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës – 1999

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Serbia nga njëra anë si humbëse, dhe nga ana tjetër, Aleancës Veri Atlantike (NATO).

Marrëveshja ishte arritur në emër të ndaljes së bombardimeve të NATO-s, të cilat kishin zgjatur mbi dy muaj ndaj caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi e njohur aso kohe si Republika Federative e Jugosllavisë.

Nënshkrues të dokumentit për bashkëpunimin ushtarako-teknik ishin, në emër të forcave ndërkombëtare të NATO-s dhe KFOR-it, gjenerali britanik Michael Jackson, dhe në emër të RF të Jugosllavisë, gjenerali i policisë Obrad Stevanoviç dhe gjeneralkoloneli i Ushtrisë Jugosllave Svetozar Marjanoviç.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës -1999

Sipas marrëveshjes, ushtria dhe policia serbe (Jugosllave) duhet të tërhiqej tërësisht nga Kosova dhe sulmi i NATOS-s mbi caqet serbe do të ndërpritet.

Një ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi Rezolutën 1244, ku OKB do të ketë një mision administrativ mbi Kosovën të njohur si UNMIK, ndërsa NATO përkatësisht KFOR do të përkujdeset për çështjen e sigurisë mbi Kosovë.

Trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999.

“Zëri ishte i matur dhe i qetë, sikur të mos ishte gjeneral, sikur të mos ishte një njeri i inkuadruar në historinë moderne serbe”.

“Gjenerallejtënant Svetozar Marjanoviç është nënshkrues i Marrëveshjes Teknike Ushtarake ndërmjet Forcave Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe Republika Federale e Jugosllavisë’. E nisim bisedën me pyetjen se kur ishte e qartë për komandën e VSRJ-së se NATO do të na sulmonte”, shkruante ekspres.net në intervistën e tij me Marjanoviçin në vitin 2019.

“Ai rrezik ka qenë i kërcënuar që nga korriku i vitit 1998. E kuptova se në një aksion gjoja të padëmshëm të një delegacioni ushtarak ndërkombëtar që ishte nën kontrollin e ushtrisë sonë nën kujdesin e OSBE-së”.

“Ai ekip kontrollonte ushtrinë, një ekip i përzier, kishte kroatë, anglezë, ‘Më vonë, oficerët tanë shkuan me ta. Ai ekip në thelb zbuloi të gjitha vendndodhjet tona. Kudo që u sollën, më vonë u goditën nga bomba në agresion. Ata shkuan dhe filmuan. Ata shënuan koordinatat”, kishte deklaruar Marjanoviç.

Sipas mediumit serb N1, ushtaraku serb, Marjanoviç ka ndërruar jetë të shtunën si pasoj e problemeve me zemër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore