Futboll

“Vdekja e tij na rrëzoi nga liga” – Cardiff kërkon dëmshpërblim nga Nantes


Një tragjedi e madhe shokoi botën e futbollit në janar të vitit 2019, teksa avioni privat që po transferonte futbollistin argjentinas, Emiliano Sala-n nga Franca në angli u rrëzua, ku futbollisti në fjalë, së bashku me pilotin humbën jetën.

Atë kohë, Sala kishte kompletuar transferimin nga skuadra franceze, Nantes, drejt skuadrës nga Premier Liga angleze, Cardiff City-n, mirëpo fati kishte rezervuar një tjetër fund për të.

Që nga ai moment, dy klubet e lartcekura janë përplasur disa herë në gjykatën e arbitrazhit sportiv, CAS, derisa së fundmi anglezët kanë kërkuar kompensimin nga francezët për futbollistin që nuk mbërriti kurrë duke qenë se paguan 15 milionë funte për transferimin e tij.

Por, së fundmi Cardiff është rikthyer të shqetësojë Nantes për Sala me një tjetër pretendim që lidhet me rënien e tyre nga Premier League në vitin 2019.

Sipas tyre ky zhgënjim në rezultate kishte të bënte drejtpërdrejt me faktin që në skuadër nuk mbërriti kurrë sulmuesi argjentinas.

Tashmë, Cardiff i gjendur në Championship, kërkon një dëmshpërblim prej 80 milionë funtesh nga Nantes duke qenë se me zbritjen në një kategori më poshtë, ata humbën mundësinë për të përfituar ekonomikisht nga të drejtat televizive dhe sponsorët e ndryshëm.

“Bluebirds” ranë nga liga e parë katër muaj pasi kishte ndodhur aksidenti tragjik, duke përfunduar dy pikë prapa Brighton-it në vendin e 17-të dhe trajneri i klubit në kohën e vdekjes së Sala, Neil Ëarnock, kishte thënë se golat e sulmuesit mund t’i kishin ndihmuar ata për të mbetur në elitën e futbollit anglez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore