Përballje

Vazhdon kriza për Dortmund-in


Ekipi i Borussia Dortmund-it nuk po kalon formë aspak të mirë në kohët e fundit.

Verdhezinjtë nuk shkuan përtej një barazimi 1:1 në udhëtim te Augsburg-u, në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 24-të në Bundesligën e Gjermanisë.

Të parët kaluan në epërsi Dortmund-i të cilët realizuan në minutën e 35-të me anë të belgut, Thorgon Hazard.

Pas këtij goli, mysafirët administruan disi lojën, por epërsinë mundën ta mbajnë deri në 12 minutat e fundit, kur vendasit barazuan me anë të Sarenren-Bazee.

Me këtë barazim, tani Dortmund-i e sheh vetën thuajse jashtë garës për titull kampion, pasi që ngelet tetë pikë prapa Bayern Munich-ut në krye të tabelës.

Ndërsa për Augsburg-un kjo ishte një pikë e rëndësishme në luftën për mbijetesë, të cilët pozicionohen në vendin e 15-të me 23 pikë.

Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme në Bundesliga, edhe Leipzig arriti të marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim te Bochum-i.

Francezi, Christopher Nkunku shënoi golin e vetëm të këtij ballafaqimi në minutën e 82-të, për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme për Leipzig-un, me të cilat ngjitet në vendin e katërt me 40 sosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore