Lajme

Vazhdon gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku


Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Gjykata Themelore në Ferizaj, me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit Zeqiria Morina, ka vazhduar gjykimin të martën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili është i akuzuar për korrupsion.

Në këtë fazë të procedurës, u dëgjua në cilësi të dëshmitarit Zeqiria Morina. I njëjti fillimisht u përgjigje nga pyetjet e prokurorit Rasim Maloku.

Dëshmitarja Morina, deklaroi se për këtë çështje penale, kishte dhënë deklaratë më parë, e njëjta tha se është menaxher i zyrës rajonale të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Gjilan.

Ai i pyetur nga prokurori Maloku, se cilat kanë qenë detyrat dhe kompetencat e kësaj Agjencie, dëshmitarja tha se AKP është institut i pavarur nga Kuvendi i Kosovës, mandati është të administroj, menaxhojë dhe të shes pronat e ndërmarrjeve shoqërore.

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Ndërkaq, sa i përket statusit të tij, dëshmitari u shpreh se përfaqëson të drejtat e ndërmarrjeve shoqërore në organet publike, përfshirë edhe organet e drejtësisë si përfaqësues ligjorë, në bazë të ligjit për themelimin e AKP-së.

Prokurori Maloku, ka pyetur dëshmitarin, se si bëhet ndryshimi i statusit të pronës, nga ndërmarrja shoqërore në një tjetër qoftë ajo private apo titullarë tjetër.

Dëshmitari Zeqiria Morina, u shpreh se tek personat fizik apo juridik bëhet përmes kontratës së shitjes që bëhet nga AKP, ndërsa forma tjetër tha se është në bazë të ligjit për shpronësim, po ashtu mënyra tjetër dëshmitari Morina tha se bëhet përmes vendimeve të formës së prerë të Gjykatave kompetente.

“Statusi aktual i pronës shoqërore “Ramadan Agushi”, e cila është objekt i kësaj çështje, tani evidentohet si pronë e Kuvendit Komunal të Kaçanikut”, ka thënë dëshmitari Morina.

Mbrojtësja e të akuzuarit Xharku, avokatja Albana Kelmendi, ka pyetur dëshmitarin se çka përfshihet në menaxhimin e një prone të ndërmarrjes shoqërore.

Dëshmitari Morina ju kundërpërgjigj se menaxhimi dhe administrimi i pronës së ndërmarrjes shoqërore nënkupton vizitat e rregullta dhe konstatimin e gjendjes faktike në teren, ndërsa varësisht nga ndryshimet eventuale që mund të ndodhin në pronë, dëshmitari tha se atëherë marrin veprimet e lejuara ligjore.

Avokatja Albana Kelmendi, tutje ka pyetur dëshmitarin se a e ka vizituar ndonjëherë parcelën 650.3 në rastin konkret të kësaj çështje.

Dëshmitari Morina i tha se personalisht nuk e kishte vizituar pasi që këtë veprim e kryen zyrtari tjetër.

Zharku ka qenë arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me tri vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.

Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore