Film

Variety përzgjedh Yllka Gashin në listën për “Aktoren më të mirë” në BAFTA


Aktorja, Yllka Gashi, e cila luan rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, është përzgjedhur nga mediumi i famshëm amerikan, Variety, si konkurrente e listës së ngushtë për çmimin “Aktorja më e mirë” në edicionin e sivjetmë të ceremonisë britanike të BAFTA-s.

Variety – ka futur edhe emrin e Yllka Gashit si mundësi në futjen e listën e nominimeve për çmimet BAFTA, ndërsa pjesë e kësaj liste janë ikonat e diskografisë botërore, të tilla si: Lady Gaga, Penelope Cruz, Kristen Stewart e Nicole Kidman.

Lidhur me lajmin ka reaguar edhe vetë aktorja, Gashi, e cila ka thënë se është e lumtur dhe me fat të ishte pjesë e filmit “Zgjoi”.

Yllka Gashi në rolin kryesor në filmin “Zgjoi”.

“Ta shoh emrin tim, të filmit ‘Zgjoi’, të Blerta Bashollit e produksionit Ikonë, e emrin e Kosovës në këso listash, më duhet ta pranoj që zemra më bëhet mal nga gëzimi e krenaria, por edhe nga mirënjohja e falënderimi që e kam për ata me të cilët kam pasur fatin e mirë ta bëjmë këtë film”, ka shkruar Gashi.

Madje, Yllka, ka thënë se edhe nëse nuk arrin të futet zyrtarisht në nominimet e BAFTA-s, ajo ndihet e nderuar me përzgjedhjen e mediumit të famshëm amerikan.

Çmimet “BAFTA”.

“Ky është nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial”, ka vazhduar ajo.

Gjithsesi, 264 filma kanë aplikuar për mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve BAFTA, me pesë vende të disponueshme për t’u nominuar për çmimin kryesor, “Filmi më i mirë”.

BAFTA vazhdon të bëjë një përpjekje të ndërgjegjshme për të zgjeruar rrjetën e saj për diversitetin, si brenda anëtarësisë së saj, ashtu edhe filmave që nderon, ndërkohë që raundi i parë i votimit për çmimet BAFTA u mbyll të hënën e 3 janarit.

Propozimet zyrtare të BAFTA-s do të njoftohen më 3 shkurt, ndërkaq mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve është planifikuar të mbahet më 13 mars.

Ekipi i Albanian Post ka realizuar një video intervistë me regjisoren e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli dhe producentin, Ylli Uka. Për më shumë detaje, ndiqeni linkun e mëposhtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore